
PRISHTINË – Drejtori i Burgjeve në Kosovë, Ismail Dibrani ka deklaruar se personat e dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, janë duke qëndruar në 4 institucione të ndryshme të izolimit. Ai ka thënë se gjatë kohës që këta të dyshuar kanë qëndruar në burgun e sigurisë së lartë në Podujevë, nuk kanë pasur komunikim me njëri-tjetrin.
“Në asnjë rrethanë, në asnjë moment, personat që dyshohen se kanë kryer të njëjtën vepër penale nuk vendosën në të njëjtën dhomë. Mund të vendosen në të njëjtin burg, por natyrisht edhe rutinat dhe shëtitjet duhet të organizohen në mënyrë që ata mos të kenë kontakt njëri me tjetrin. Për shkak të situatës së rëndë dhe debatit që është zhvilluar pothuajse në të gjitha mediat në Kosovë, ne fillimisht i kemi vendosur në burg të sigurisë së larte, sepse vepra e tyre ka qenë e rëndë”, tha Dibrani për mediat në Kosovë.
Më tej, Dibrani theksoi se shpërndarja e 4 të dyshuarve nëpër institucione të ndryshme të vuajtjes së dënimit është bërë në konsultim me Prokurorinë. “Si rezultat i kësaj ata vlerësohen me rrezikshmëri shumë të lartë deri në takimin e komisionit për kategorizim, komision i cili vendos për të ardhmen sesi ata do të trajtohen. Por duke marrë parasysh debatin që është zhvilluar në opinion dhe rasti tashmë ka marrë përmasa edhe jashtë Kosovës, na është dashur konsultim me Prokurorin e Shtetit që t’i shpërndajmë në institucione të ndryshme”, tha Dibrani.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI/