Aktualitet

Dyshohet se ka ngacmuar 13-vjeçaren, Gjykata lë në burg Anesti Salën, mohon akuzat

Sala i ka mohuar akuzat në sallën e gjyqit

Zeri
Dyshohet se ka ngacmuar 13-vjeçaren, Gjykata lë në burg Anesti
Foto ilustruese

KORÇË- Gjykata e Korçës ka lënë në burg Anesti Salën, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 13-vjeçare në Maliq. Vetë Sala nuk i ka pranuar akuzat në sallën e gjyqit, ndërsa ka deklaruar se ka pasur një konflikt me gjyshen e vajzës së mitur.

Mbrojtësi i caktuar kryesisht kërkoi një masë më të butë sigurie për Anesti Salën, i cili gjatë seancës mohoi të ketë ngacmuar seksualisht të miturën.

59-vjeçari pohoi që ishte përdorues i rregullt i alkoolit dhe ditën kur ishte konfliktuar me gjyshen e 13-vjeçares, për shkak të ngacmimit të saj, ka qenë në gjendje të dehur.

Anesti Sala u arrestua nga policia lokale për ngacmim seksual të një të miture pas denoncimit të familjarëve të saj.

Vajza 13-vjeçare, fillimisht nuk ka treguar për ngacmimet pasi i vinte turp. Por më pas, i ka treguar gjyshes së saj për ngjarjen dhe së bashku kanë bërë kallëzim në Polici, në praninë e psikologes. Gjyshja e tronditur ka treguar detaje të rënda nga ngjarja, ku 59-vjeçari ka arritur deri aty sa të shkojë me gurë edhe në banesën e tyre. 

Gjithashtu, të afërmit e vajzës kanë treguar se ajo përndiqej nga 59-vjeçari prej 3-vitesh, ndërsa 13-vjeçarja e frikësuar nuk del më nga shtëpia vetëm, madje edhe në shkollë ka bërë mungesa.

/Zëri.ai 

 

Poll

MOS HUMB