
RRIPI I GAZËS - Pas më shumë se gjashtë javësh lufte, banori i Gazës, Khaled Loz e di se çfarë dëshiron të bëjë, kur armëpushimi i Izraelit dhe Hamasit më në fund të hyjë në fuqi. Ai dëshiron të flejë. “Është gjëja e parë që dua të bëj. Jam lodhur nga të gjitha bombardimet e vazhdueshme”, thotë ai.
Që nga sulmi i luftëtarëve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, në të cilin ata vranë 1,200 njerëz, bombardimet ajrore dhe artileria izraelite kanë vrarë më shumë se 14,000 palestinezë në Gaza, duke përfshirë më shumë se 5,600 fëmijë. Rreth 1.7 milionë njerëz nga popullsia prej 2.3 milionë banorësh të Gazës janë zhvendosur, teksa ka pasur shumë lëvizje nga pjesa veriore e Rripit të Gazës në jug, pas paralajmërimeve nga ushtria izraelite.
Por bombardimet e Izraelit janë shtrirë edhe në Gazën qendrore dhe jugore, duke mos lënë asnjë pjesë të enklavës të sigurt, me kampe refugjatësh, shkolla dhe spitale të sulmuara gjithashtu. Tani, shpallja e një armëpushimi katër-ditor që mund të hyjë në fuqi së shpejti, po premton shpresën e parë të njëfarë pushimi për popullin e Gazës.
"Duhet të ringjallim shpirtin tonë, sepse kemi vuajtur së tepërmi", thotë Loz. “Ne duam të sigurojmë ujë për shtëpitë tona, duam që mallrat të hyjnë në vend në dyqanet bosh, ku nuk mund të gjejmë atë që na nevojitet”, shton banori. Por është gjithashtu mundësia e parë për mijëra familje që të qajnë më në fund të dashurit e vrarë nga bombardimet. Të tjerë shpresojnë që pauza në luftime t'i lejojë ata të kërkojnë të afërmit dhe miqtë e humbur.
Loz thotë se shtëpia e familjes së nënës së tij në qytetin e Gazës u bombardua. “Nuk e di kush ka mbetur prej tyre dhe nuk e di kush ka rënë dëshmor. Dua të kontrolloj xhaxhain tim”, thotë ai. "Ku janë ata, ku kanë ikur? Ne duam të qajmë ata që humbëm. Ata [Izraeli] nuk na dhanë mundësinë për të shprehur ndjenjat tona, madje edhe për të qarë për miqtë tanë”, deklaron banori.
Sipas Hamasit, armëpushimi do të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve nga veriu i Gazës në jug përgjatë rrugës Salah al-Din, autostradës kryesore të territorit. Por nuk ka një garanci të tillë të lëvizjes drejt veriut, ku ndodhet qyteti i Gazës, kështu që është e paqartë nëse ata njerëz, njësoj si Loz, që duan të kërkojnë për të afërmit e zhdukur në veri, a do të jenë në gjendje të arrijnë atje.
Etaf Hussien Musataf al-Jamalan, baba i pesë fëmijëve, u zhvendos nga Sheikh Raduan, një lagje e qytetit të Gazës, dhe shpresonte të kthehej për të kontrolluar shtëpinë e tij gjatë pauzës në luftime. Ai thotë se ka "ndjenja të përziera" për armëpushimin. “Ne duam të kontrollojmë shtëpitë tona. Ndoshta marr ndonjë furnizim apo ndonjë gjë tjetër”, thotë ai, duke shtuar se është i trishtuar që kushtet e armëpushimit mund të mos e lejojnë këtë. Ai nuk e di nëse shtëpia e tij është ende ‘në këmbë’ apo është rrënuar. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se gjysma e shtëpive të Gazës veriore janë dëmtuar ose shkatërruar nga bombardimet. Por ai thotë se më mirë është te jetojë në një tendë në lagjen e tij, sesa si një njeri që endet nëpër rrugë.
Enas al-Jamalah, 12 vjeç, është gjithashtu nga Sheikh Radvan. I zhvendosur në Deir el-Balah, ai dhe mijëra persona të tjerë flenë jashtë, ndërsa dimri është relativisht i ftohtë në Gaza, me temperatura që bien gjatë natës në 15 gradë Celsius (59 gradë Fahrenheit). Arsyeja e tij për t'u kthyer në shtëpi është e thjeshtë. “Duam vetëm të jemi ngrohtë”, thotë ai. Edhe Fatima Kudejh deklaron se ndjen mall për shtëpinë e saj. 37-vjeçarja nga qyteti Khuza'a iku në Khan Younis aty pranë në Gazën jugore dy ditë pas luftës.
Shtëpia e saj në Khuza'a ishte dëmtuar në luftën e vitit 2021, por ajo dhe familja e saj e kishin rindërtuar. Tani, ajo nuk e di nëse banesa është ende mirë, e dëmtuar apo e shkatërruar. Ajo shpreson ta vizitojë shtëpinë, sapo të hyjë në fuqi armëpushimi. Gjashtë fëmijët e saj mezi kanë fjetur që nga fillimi i luftës, thotë ajo. “Çdo natë, ka bombardime kudo. Çdo ditë më pyesin për shtëpinë. Është në rregull? A janë lodrat në rregull dhe dhomat në rregull? Nuk kam si t’u jap përgjigje fëmijëve për pyetjet, sepse as vetë nuk di asgjë. Unë u them atyre që të luten të jenë mirë – sepse gjëja më e rëndësishme për mua është që fëmijët e mi të jenë mirë”, tha gruaja.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 nëntor. Ushtria izraelite ka sulmuar Gazën që në atë kohë duke vrarë më tepër se 14 mijë njerëz. Nesër në mëngjes, 24 nëntor, do të ketë një armëpushim mes palëve./Al Jazeera - Zëri.ai/