
SHBA- Donald Trump, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka tronditur aleancën e NATO-s me deklaratën që ka bërë së fundmi. Në një tubim të shtunën, ai tha se do ta inkurajojë Rusinë të sulmojë çdo anëtar të NATO-s që nuk paguan kontributet e saj si pjesë e aleancës ushtarake perëndimore. Trump rrëfeu se i kishte thënë një herë një lideri se nuk do të mbronte asnjë komb që kishte prapambetje në pagesat e tij dhe do të inkurajonte agresorët të bënin çfarë të donin.
“Një nga presidentët e një vendi të madh, u ngrit në këmbë dhe tha: “Epo, zotëri, nëse nuk paguajmë dhe sulmohemi nga Rusia, do të na mbroni?” Unë i thashë: ‘Nuk ke paguar? Je delikuent? Jo, nuk do të të mbroja. Në fakt, unë do t’i inkurajoja rusët të bënin çfarë dreqin të donin. Duhet të paguash”, tha Trump.
Kjo deklaratë e tij se ka sjellë mjaft reagime nga aleatët.
Shtëpia e Bardhë i quajti komentet "të tmerrshme dhe të pakontrolluara".
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se çdo sugjerim se "aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin minon të gjithë sigurinë", duke vënë në rrezik ushtarët nga vendet e NATO-s.
"NATO mbetet e gatshme të mbrojë të gjithë aleatët e saj. Çdo deklaratë që flet për mundësinë që vendet anëtare të mos mbrojnë njëri-tjetrin, vë në rrezik sigurinë e të gjithëve ne, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i ekspozon ushtarët amerikanë dhe evropianë ndaj rreziqeve në rritje,”- tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i konsideroi të pamatura fjalët e Trump.
Trump është favorit për të kandiduar sërish si kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA. Ai ka qenë prej kohësh kritik ndaj NATO-s dhe asaj që ai e sheh si një barrë të tepërt financiare për Shtetet e Bashkuara për të garantuar mbrojtjen e 30 vendeve të tjera.