
SHBA- Gjykata në Nju Jork vendosi që ish-presidenti Donald Trump t’i paguajë 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll, për komente diskretituese ndaj saj, gjatë kohës që ishte president, në vitin 2019. Trump para 4 vitesh, sa ishte president, e kishte mohuar abuzimin seksual duke thënë se nuk e njeh fare Caroll. Pikërisht kjo deklaratë e ka shtyrë 80-vjeçaren ta padis atë.
Caroll tha se Trumpi shkatërroi reputacionin e saj si një gazetare e besueshme duke mohuar se ai e përdhunoi. Dënimi në gjyqin civil është 18.3 milion dollarë (mbi 16 milionë euro) për dëmshpërblim dhe 65 milion dollarë (mbi 59 milionë euro) për dëme ndëshkuese.
Ndërkohë Trump, i cili ishte i pranishëm në pjesën më të madhe të gjyqit, por jo për të dëgjuar vendimin, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se do ta apelojë atë. Vendimi i gjykatës vjen ndërsa Trump po shkon drejt fitores për të tretën herë radhazi në garat paraprake për president. Ai ka kërkuar t'i kthejë proceset ndaj tij në një avantazh, duke i cilësuar ato si dëshmi të një sistemi që po përdoret politikisht kundër tij./ZËRI