
EKUADOR - Dhuna shpërtheu në të gjithë Ekuadorin dhe presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Janë regjistruar shpërthime, grabitje, të shtëna me armë zjarri, si dhe trazira në disa burgje në Ekuador. Në qytetin më të madh, Guayaquil, persona të armatosur sulmuan një studio televizive gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të martën.
Kaos në një vend dikur paqësor
Vetëm pak vite më parë, Ekuadori ishte një vend ku mbizotëronte një paqe relative, i vendosur mes dy prej prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë, Kolumbisë dhe Perusë, të cilat kohët e fundit kanë përjetuar konfliktet e tyre të brendshme të dhunshme midis forcave të sigurisë dhe rebelëve të krahut të majtë, të lidhur me fitimet nga tregtia e drogës.
Përballë dhunës në rritje, presidenti i ri i Ekuadorit, Daniel Noboa, shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore, duke vendosur një shtetrrethim dhe duke i dhënë ushtrisë fuqinë për të patrulluar rrugët dhe për të marrë kontrollin e burgjeve. Ai vendosi gjithashtu mijëra policë dhe ushtarë për të kërkuar kreun e bandës së zhdukur Adolfo Macias, i njohur gjithashtu si Fito. Noboa deklaroi në dekret se ekziston një konflikt i brendshëm i armatosur në vazhdim, caktoi 20 banda të trafikut të drogës si organizata terroriste dhe i dha ushtrisë një dorë të lirë për të "neutralizuar fraksionet kriminale brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar humanitar". Deri të martën, trazirat në Guayaquil kishin lënë të paktën tetë të vdekur, tha kryebashkiaku Achilles Alvarez në një konferencë për shtyp. Shkollat, dyqanet dhe zyrat qeveritare u mbyllën dhe rrugët në Guayaquil dhe kryeqytetin Quito u bllokuan nga trafiku, ndërsa njerëzit përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi nga puna. Autoritetet thanë se lideri i dytë kryesor i bandës ishte arratisur nga një burg në Ekuador, së bashku me të burgosur të tjerë.
Hyrja në një stacion televiziv
Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të Televizionit TC në Guayaquil, një grup agresorësh të armatosur, të maskuar hynë në studio. Ata e detyruan stafin të shtrihej në tokë, i goditën me grushte dhe shkelma. Ata e detyruan prezantuesen dhe punëtorët e tjerë që t'i kërkojnë presidentit që të mos ndërhyjë në TV. I gjithë vendi e ndoqi terrorin drejtpërdrejt. Një nga agresorët u dëgjua të thoshte se donte të dërgonte një mesazh për pasojat e ngatërrimit me mafian. Por policia u fut para se ai të mund të lidhej me mikrofonin, shkruan New York Times. Policia më vonë tha se kishte arrestuar 13 persona, sekuestroi armë dhe eksplozivë dhe se të gjithë pengjet ishin të sigurt.
Kush është Adolfo Macias Villamar?
Ai është një nga kriminelët më të rrezikshëm në Ekuador. I njohur edhe si Fito, 44-vjeçari Macias është kreu i Los Choneros, një bandë burgu që merret me trafikun e drogës dhe zhvatjen. Pas vrasjes në dhjetor 2020 të Jorge Luis Zambrana Gonzalez "The Breakup", Fito mori drejtimin e Los Choneros, një bandë e quajtur sipas emërtimit të qytetit nga ‘lindi’, Chone.
Ai ishte në burg që nga viti 2011. Duke qenë se shumë anëtarë të kësaj bande ndodhen në qeli, ajo ka një ndikim në institucionet e burgjeve të vendit, që qeveria i ka lënë pas dore vazhdimisht, shkruan “Time”. Ashtu si krerët e tjerë të bandave në Ekuador, Macias e drejtoi perandorinë e tij kriminale pas hekurave. Disa ekspertë të sigurisë besojnë se bandat kontrollojnë deri në një të katërtën e burgjeve të vendit. Sipas Time, Fito është i lidhur edhe me një vrasje politike të fundit. Përpara zgjedhjeve presidenciale të vendit vitin e kaluar, kandidati Fernando Villavicencio, i cili foli kundër karteleve të fuqishme të drogës në Ekuador, u vra. Disa ditë para vdekjes së tij, Villavicencio tha se ai dhe ekipi i tij morën kërcënime nga Fito dhe Los Choneros.
Zhdukja nga qelia
Të dielën, një hetim zbuloi se Macias ishte zhdukur nga qelia e tij në një burg të mbushur me njerëz në Guayaquil, ku po vuante një dënim 34-vjeçar për trafik droge, krim të organizuar dhe vrasje. Qeveria kohët e fundit urdhëroi që Masijas dhe të burgosur të tjerë të profilit të lartë të transferoheshin në një strukturë të sigurisë maksimale. Ekspertët thonë se kjo mund ta ketë bërë atë të arratiset dhe të çojë në trazira në burg. Fito supozohej të ishte në burgun La Regional në kompleksin e madh të burgut Guayas, i cili përmban pesë institucione penale me mbi 12,000 të burgosur. Ai kaloi shumicën e 12 viteve të fundit atje.

Në gusht të vitit të kaluar, ai u transferua për një kohë të shkurtër në La Roca, një burg më i vogël në të njëjtin kompleks që konsiderohet më i sigurt, për shkak të numrit më të vogël të të dënuarve. Por avokati i Fitos apeloi vendimin e transferimit dhe Fito u rikthye në La Regional pas vetëm një muaji. Siç shkruan “New York Times”, ai ka festuar në qeli, duke publikuar një videoklip.
Autoritetet nuk e vunë re se ai ishte zhdukur për orë të tëra
Lajmi për zhdukjen e tij u shfaq për herë të parë kur gjenerali Cesar Zapata u tha gazetarëve gjatë një konference të dielën se forcat e armatosura kishin vënë re një të burgosur pa emër që mungonte nga kompleksi.
Zëdhënësi i qeverisë Roberto Izurieta tha se Fito ka gjasa të jetë arratisur, vetëm disa orë përpara se autoritetet e burgut të vërenin zhdukjen e tij gjatë fundjavës, pasi u paralajmërua se do të transferohej në objektin më të sigurt të La Rocca. Izurieta tha se arratisja e Fitos ishte rezultat i një sistemi burgu totalisht të dështuar.
Fito është arratisur edhe më parë nga kompleksi i burgut. Kështu në vitin 2013, së bashku me 17 të burgosur të tjerë, ai u arratis nga burgu La Roca, më pas me varkë përtej lumit Daula pranë kompleksit. I arratisuri u kap katër muaj më vonë, në maj, së bashku me vëllain e tij, anëtar i Los Choneros, në shtëpinë e nënës së tyre në qytetin Manta.

Sa të fuqishme janë bandat e Ekuadorit?
Lufta e bandave vetëm sa ka filluar të ndotë vendin me 18 milionë banorë në vitet e fundit. Gjatë gjysmë dekadës së fundit, trafikantët e huaj të drogës kanë bashkuar forcat me bandat si Los Choneros për të ndërtuar një industri të fuqishme të trafikut të drogës në të gjithë vendin, duke depërtuar në qeveri, duke zhvatur para nga kompanitë dhe duke vrarë këdo që i pengon.
Ashtu si bandat e tjera, aktiviteti kriminal i Los Choneros besohet se shtrihet përtej mureve të burgut dhe thuhet se funksionon si një krah operacional i kartelit Sinaloa të Meksikës. Sipas “New York Times”, besohet se Los Choneros ishte një nga bandat e para ekuadoriane, që krijonte lidhje me kartelet meksikane të drogës. Noboa, i cili mori presidencën në nëntor, premtoi të godiste bandat dhe të rivendoste sigurinë në vend. ‘Ka kaluar koha kur të dënuarit për trafik droge, vrasës me pagesë dhe krim të organizuar i diktuan qeverisë se çfarë të bënte” - tha ai të martën./ZËRI/