
BRUKSEL- Një nga politikanët më të lartë të Evropës tregoi se si ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte paralajmëruar se Amerika nuk do t'i vinte në ndihmë BE-së, nëse sulmohej ushtarakisht. “Duhet të kuptoni se nëse Evropa sulmohet, ne nuk do të vijmë kurrë për t'ju ndihmuar dhe për t'ju mbështetur,” i tha Trump, Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në vitin 2020, sipas komisionerit evropian francez Thierry Breton, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në një takim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
“Meqë ra fjala, NATO ka vdekur dhe ne do të largohemi, do të dalim nga NATO”, tha gjithashtu Trump, sipas Breton. "Dhe ai shtoi, 'meqë ra fjala, më keni borxh 400 miliardë dollarë, sepse nuk paguani, ju gjermanët, atë që duhej të paguanit për mbrojtjen'," tregoi Breton për takimin e tensionuar. I pranishëm ishte edhe ish- ministri për Strehimin, Qeverisjen Lokale dhe Trashëgiminë e Irlandës, Phil Hogan.
Breton e tregoi bisedën në një ngjarje në Parlamentin Evropian në Bruksel të martën, vetëm disa ditë përpara se Partia Republikane të mbajë mbledhjen e grupit të saj parlamentar më 15 janar në Iowa, gara hapëse në përpjekjen e Trump për të fituar nominimin republikan në garë, me qëllim për t'u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Anëtarët e partisë do të hedhin votat e tyre për kandidatët, duke përfshirë Trump, Guvernatorin e Floridës Ron DeSantis dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, të cilët të dy mbeten shumë pas ish-presidentit në sondazhe.
Brukseli është i mbushur me frikë për mundësinë që Trump të kthehet në presidencën e SHBA. Komisioneri përgjegjës për politikën industriale dhe axhendën e mbrojtjes së BE-së, Breton ka kërkuar që BE të rrisë aftësitë e veta vetëmbrojtëse në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe të martën ka nxjerrë një fond prej 100 miliardë euro, për të rritur prodhimin e armëve në bllok.
"Kjo ishte një thirrje e madhe zgjimi", tha Breton për Trump. "Kështu që tani më shumë se kurrë, ne e dimë se jemi vetëm, sigurisht. Jemi anëtare të NATO-s, pothuajse të gjithë, patjetër që kemi aleatë, por nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të jemi të gjithë gati, për të përballuar çdo agresion të mundshëm”, shtoi zyrtari i lartë europian./ZËRI/