
JERUZALEM- Forcat e ushtrisë izraelite arrestuan të hënën ikonën e rezistencës palestineze Ahed Tamimi në qytetin Nabi Saleh në Bregun Perëndimor. Lajmin e dha nëna e aktivistes.
Mediat në Izrael shkruajnë se Tamimi u arrestua, pasi kishte bërë thirrje në rrjetet sociale për vrasje të izraelitëve.
“Ahed Tamimi ka bërë thirrje në rrjetet sociale që izraelitët të vriten dhe të mendojnë se ajo që iu ka bërë Hitleri ishte një shaka,”- shkruan Jeruzalem Post.
Forcat izraelite kontrolluan shtëpinë dhe konfiskuan telefonat celularë të familjes. Babai i Tamimit u arrestua nga forcat izraelite gjatë një bastisjeje në qytet javën e kaluar. Në vitin 2017, Tamimi u arrestua nga forcat izraelite pasi një video u bë virale që tregonte gruan e re, atëherë 16 vjeçe, duke shtyrë dhe goditur ushtarët izraelitë, që u përpoqën të hynin në shtëpinë e familjes së saj.
Ajo u dënua më vonë tetë muaj burg për sulmin ndaj një ushtari izraelit. Tamimi që atëherë është bërë një simbol ndërkombëtar i rezistencës kundër okupimit të Izraelit në Bregun Perëndimor./Zëri.ai/