GAZA- Sot është dita e katërt dhe e fundit e armëpushimit të dakordësuar në Gaza.
Egjipti dhe Katari po ndërmjetësojnë bisedimet për të zgjatur armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit dhe për të zgjeruar listën e pengjeve për të përfshirë të moshuarit që mund të lirohen së bashku me gratë dhe fëmijët, të ndjekur nga eshtrat e izraelitëve të vrarë.
Sipas Wall Street Journal, Hamasi ka refuzuar të marrë në konsideratë lirimin e burrave të moshuar izraelitë, edhe pse shumë janë civilë.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha këtë mëngjes se "diskutimet" janë duke u zhvilluar në lidhje me listën e pengjeve izraelitë që do të lirohen sot, e cila është marrë brenda natës. “Ne do të shtojmë informacion kur të jetë e mundur”, tha zyra e shtypit e kryeministrit.
Për momentin nuk dihet se cili është objekti i diskutimit dhe nëse ka probleme me listën, ku sipas një komunikimi të mëparshëm janë 11 të rrëmbyer. Ky grup i fundit plotëson listën e 50 pengjeve që do të lirohen gjatë armëpushimit katërditor, i cili mund të zgjatet nëse Hamasi liron pengje të tjerë.
Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al-Thani i tha Financial Times se Hamasi duhet të gjejë dhjetëra pengje, përfshirë gra dhe fëmijë, të mbajtur nga civilë dhe fraksione të tjera në Rripin e Gazës për të zgjatur armëpushimin e përkohshëm. Al-Thani tha se janë më shumë se 40 gra dhe fëmijë të arrestuar në Gaza, të cilët nuk janë në duart e Hamasit.
“Nëse Hamasi ka më shumë gra dhe fëmijë, do të ketë një zgjatje (të armëpushimit),” tha kryeministri i Katarit, por shtoi se ishte e paqartë se deri në çfarë mase Hamasi mund të gjente (pengjet e tjera). “Një nga objektivat (e armëpushimit) është që Hamasi të ketë kohë për të kërkuar për pjesën tjetër të të zhdukurve (të rrëmbyerit),” shtoi Al-Thani.
Kryeministri i Katarit tha gjithashtu se qëllimi i deklaruar i Izraelit për të zhdukur Hamasin nga Rripi i Gazës ishte jorealist. "Në fund, shkatërrimi i Hamasit përmes vazhdimit të kësaj lufte nuk do të ndodhë kurrë. Ai vetëm do të nxisë narrativën e ekstremizmit dhe radikalizimit," tha Al-Thani. “Ne kemi nevojë për një zgjidhje politike që garanton sigurinë e popullit palestinez dhe popullit izraelit”, shtoi ai.
/Zëri.ai