
KOSOVË- I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka bërë me dije se në fund të kësaj jave pritet të ketë një tjetër takim mes krenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë Petar Petkoviç në lidhje me dinarin serb. Takimi do të zhvillohet në Bruksel. Ndërsa takimi i fundit është zhvilluar më 4 prill.
Miroslav Lajçak: Në fund të kësaj jave, do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Pres që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet sërish./ZËRI