
SHBA- Vijon gjyqi ndaj ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump në Gjykatën e Nju Jorkut. Trump akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të. Nëse Trump do të gjendet fajtor nga gjykata ai rrezikon dënimin me burg dhe një pengesë kryesore në garën e tij presidenciale për të shkuar sërish në Zyrën Ovale.
Vetë Donald Trump e quajti gjyqin e tij në Nju Jork një "sulm ndaj Amerikës" dhe një "persekutim politik".
"Asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë," tha ish-presidenti teksa hyri në një gjykatë në Manhattan për fillimin e procedurave kundër tij për pagesat ndaj yllit porno Stormy Daniels.
"Kur të hyj në atë dhomë, e di se do të kem dashurinë e 200 milionë amerikanëve pas meje dhe se do të luftoj për lirinë e 325 milionë amerikanëve!"
Ndërkohë që në nisje të seancës gjyqësore, qindra mbështetës të Donald Trump janë vendosur para gjykatës në mbështetje të tij, ndërsa Policia ka blinduar zonën për arsye sigurie. Ndërkohë që kamerat nuk janë lejuar brenda sallës së gjyqit, ndërsa ajo që po ndodh brenda sallës është pasqyruar vetëm përmes skicave.
Trump akuzohet për fshehjen e një pagese prej 130,000 dollarësh bërë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, me synimin për të siguruar heshtjen e saj lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për një marrëdhënie jashtëmartesore.
Prokurorët kanë përmendur gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila pretendon se ka patur një lidhje 10-mujore me Trump në mesin e viteve 2000. McDougal është paguar me 150,000 dollarë nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer”, për të siguruar eksluzivitetin në publikimin e kësaj historie, e cila gjithësesi nuk u publikua kurrë, sipas dyshimeve, me kërkesë të zotit Trump. Ish Presidenti i ka mohuar marrëdhëniet me të dyja grate./ZËRI