
SERBI- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se raundi i dytë i bisedimeve në dialogun me Kosovën është propozuar të mbahet në datat 6 ose 7 nëntor në Bruksel, por sipas tij, Kosova nuk ka pranuar. Gjatë një interviste për "Tanjug", Vuçiç është shprehur se ua ka bërë të qartë liderëve europianë se nuk do të pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës, si dhe ka deklaruar se BE nuk ka kërcënuar me sanskione por që mundësitë egzistojnë.
"Do të gënjeja nëse do të thoja se këto janë kërcënime dhe se këta njerëz kanë gjuhë të papërshtatshme, janë njerëz të mirë me të cilët kemi marrëdhënie të mira”, tha Vuçiç.
Më tej presidenti serb u pyet se si e shpjegon insistimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve që Serbia të njohë Kosovën, ku u shpreh se kjo vjen si rrjedhojë e përgjegjësisë që ndjejnë për bombardimet e bëra në Serbi më 1999.
"Ne jemi një guralec në këpucët e tyre, përsëritja ime kokëfortë dhe të gjitha historitë për bombardimet në 1999 dhe shkatërrimin e të gjitha normave juridike publike ndërkombëtare janë një guralec në këpucën e tyre. Në një moment, konflikti në Ukrainë do të duhet të përfundojë, argumenti i tyre do të jetë i saktë - ju keni shkelur integritetin territorial të vendit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, kështu që kundërargumenti do të jetë - po, ju e bëtë atë shumë më brutalisht, pa vendimin e Këshillit të Sigurimit, 19 prej jush kryen agresion kundër një shtet i vogël, Jugosllavi”, u shpreh ai.
Më 26 tetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç zhvilluan takime të ndara me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së dhe SHBA-së, në Bruksel. Takimet e ndara në Bruksel të bartësve të dialogut me liderët kyçë evropianë përfunduan pa asnjë rezultat. Kurti, tha më 27 tetor se ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje për normalizimin e raporteve dhe propozimin për formimin e Asociacionit, por shtoi se “pala serbe nuk ishte e interesuar”. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij./Zëri.ai