
SLLOVAKI- Nënkryetari i ri i Parlamentit sllovak vendosi të bëjë ndryshime në dekorimin e zyrës së tij, madje duke prezantuar “mini rinovimin”, në një video që ka publikuar në Telegram.
Në videon e titulluar “Pastrimi i vjeshtës”, Lubos Blaha, i cili hyri për herë të parë në zyrën e tij të re, njoftoi se duhen bërë disa rregullime të vogla.
Ai zëvendësoi flamurin e BE-së, ndërsa hoqi portretin e presidentes bukuroshe të vendit, Zuzana Kaputova, dhe vendosi imazhin e Ernesto Che Guevara.
Sigurisht që largimi i portretes së presidentes nuk ishte ‘rrufe ne qiell të hapur’, pasi Blaha shpesh e ka quajtur kryetaren e shtetit “agjente amerikane”. Ai i përket partisë populiste Smer-SD të kryeministrit Robert Fico, i cili u zgjodh me premtimin për t'i dhënë fund ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Kërkohet shkarkimi i tij
Videoja shkaktoi zemërimin e Lëvizjes Demokristiane (KDH) e cila kërkon largimin e tij nga posti i nënkryetarit të Kuvendit dhe për këtë po mbledh nënshkrime.
“KDH dënon ashpër veprimet e Lubos Blaha, kur ai hoqi flamurin e Bashkimit Evropian nga zyra e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sllovake dhe zëvendësoi portretin e presidentes me portretin e një lideri të huaj e komunisti radikal, Che Guevara”, tha kreu i partisë, duke shtuar se KDH luftoi kundër komunizmit dhe mbrojti anëtarësimin në BE të vendit dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
"Ata e urrejnë Sllovakinë"
Politikani Lubos Blaha reagoi, teksa akuzoi Lëvizjen Demokristiane se urren Sllovakinë. “E kuptoj se janë të indinjuar që kam ngritur flamurin e Republikës Sllovake në zyrën time, sepse ata e urrejnë Sllovakinë. As Kushtetutën nuk e kanë votuar”, ka shkruar ai në Telegram.
Nënkryetari i Kuvendit argumentoi se nuk ka asnjë detyrim të mbajë në zyrën e tij flamurin e Bashkimit Evropian apo foton e presidentes, Zuzana Kaputova./Zëri.ai/