
SHBA- Vetëm pak 24 orë më parë, presidenti amerikan Donald Trump theksoi se do të nevojiten investime të mëdha në mënyrë që SHBA të vazhdojë të udhëheqë zhvillimet në frontin e sistemeve produktive të inteligjencës artificiale. Për më tepër, Trump po promovon projektin Stargate, të cilin madje e ka cilësuar si “projektin më të madh të infrastrukturës së inteligjencës artificiale-AI në histori”. Ky është një projekt me vlerë disa qindra miliardë dollarë që është ndërmarrë nga kompani gjigante si OpenAI, Oracle, MGX dhe SoftBank.
Megjithatë, afërsisht në të njëjtën kohë, një startup i vogël kinez i quajtur DeepSeek u lancua dhe ka përmbysur narrativën amerikane.
Rrjeti DeepSeek, i ideuar nga Liang Wenfeng, prezantoi modelin e gjuhës R1 javën e kaluar. Zhvillimi i tij ka kushtuar shumë më pak se ChatGPT i OpenAI. Modeli i gjuhës kineze DeepSeek mund të mësojë dhe përmirësohet automatikisht, pa mbikëqyrjen njerëzore, ose të paktën kështu pretendon kompania e themeluar në 2023. "FT" shkroi të shtunën e kaluar, më 25 janar, se “lëshimi i R1 i DeepSeek ka ndezur një debat të ashpër në Silicon Valley lidhur me faktin se a munden kompanitë amerikane aktive në fushën e inteligjencës artificiale (OpenAI, Google DeepMind, Meta, Anthropic, etj.) të mbrojnë avantazhin e tyre teknik.”
48 orë më vonë, me hapjen e bursave të hënën, stoqet e sektorit të teknologjisë panë rënie të vlerës së këtyre kompanive. Startup kinez DeepSeek pretendon se ka bërë përparim në modelet e veta duke përdorur shumë më pak çipa Nvidia sesa konkurrentët e tij në SHBA.
Krijuesi i uebit, Liang Wenfeng tani po trajtohet si një hero në Kinë. Sipas analistëve, modeli i DeepSeek jo vetëm që konkurron, por edhe i kalon modelet amerikane si ChatGPT i OpenAI në shumë tregues kyç. Kjo sepse ka aftësinë për të dhënë përgjigje problemeve më komplekse të arsyetimit, me theks të veçantë në matematikë dhe programim. Përveç kësaj, është pafundësisht më i lirë, më i aksesueshëm dhe më transparent.
Risi mbresëlënëse
"DeepSeek R1 është një nga zbulimet më mahnitëse dhe mbresëlënëse që kam parë ndonjëherë, dhe për shkak se është me kod të hapur, është një dhuratë e madhe për të gjithë botën,"- shkroi në "X" Mark Andreessen, një sipërmarrës, investitor dhe inxhinier softuerësh amerikan. Shumë ekspertë thonë se modeli i ri është hedhur si “bombë bërthamore” në zemër të Silicon Valley. Është një sfidë e drejtpërdrejtë për manjatët e teknologjisë amerikane, të cilët mendonin se mbretërimi i tyre do të zgjaste përgjithmonë.
Ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm është se tani e ardhmja e Inteligjencës Artificiale po vendoset në Hangzhou dhe jo në Palo Alto, Kaliforni. DeepSeek po vjen gjithashtu për të përmbysur rrënjësisht planet e Presidentit Trump, i cili njoftoi pak ditë më parë një program të infrastrukturës së Inteligjencës Artificiale me vlerë 500 miliardë dollarë./ZËRI