
TOKIO- Shefi ekzekutiv dhe presidenti i Fuji TV, një prej rrjeteve më të mëdha të mediave në Japoni dhanë sot dorëheqjen, pasi një nga moderatorët u akuzua për përdhunim. Dhjetra kompani tërhoqën reklamat e tyre nga rrjeti, i cili u kritikua se u përpoq të mbulojë skandalin.
Skandali që arriti edhe në qeverinë japoneze
Masahiro Nakai u akuzua për sulm seksual ndaj një gruaje në një darkë në vitin 2023, e cila dyshohet se ishte organizuar nga stafi i Fuji TV. Javën e kaluar, Nakai njoftoi tërheqjen e tij nga industria e medias. Skandali duket se ka arritur në nivelet e larta të qeverisë japoneze, e cila thuhet se i ka kërkuar Fuji TV të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të rifituar besimin e shikuesve dhe sponsorëve.
Në një konferencë për shtyp të hënën, shefi i Fuji TV Tsuchi Kano dhe kryetari Koichi Minato njoftuan vendimin e tyre për t'u larguar nga pozicionet e tyre pas një takimi urgjent të bordit.
Dorëheqje nga Fuji TV Group dhe ndjesë publike
Në të njëjtën kohë, ata u kërkuan falje shikuesve dhe të gjithë të prekurve nga skandali që tronditi industrinë japoneze të medias. Minato pranoi se bordi ishte në dijeni për padinë ndaj Nakait menjëherë pasi u denoncua sulmi seksual.
Megjithatë, Fuji TV zgjodhi të mos e zbulonte atë në atë kohë, pasi "i dha përparësi rimëkëmbjes fizike dhe mendore të gruas, si dhe mbrojtjen e privatësisë së saj". Raportohet se moderatori i ka dhënë gruas më shumë se gjysmë milioni për të mos folur. Sipas raporteve një punonjës i Fuji TV ndihmoi në organizimin e darkës.
Nakai, një ish-anëtar i një grupi muzikor djemsh dhe një emër i njohur në disa shfaqje të Fuji-t, mohoi të kishte sulmuar seksualisht gruan, duke shtuar se ai e kishte "zgjidhur" çështjen me të përmes një marrëveshjeje. Pretendimet e tij nuk ishin të mjaftueshme për të shuar zemërimin publik.
Prodhuesit e automjeteve Nissan dhe Toyota ishin ndër kompanitë që tërhoqën reklamat e tyre nga Fuji TV. Ndërkohë, në një letër të hapur, skema e investimeve Rising Sun Management, e cila është aksioneri kryesor i kompanisë mëmë të Fuji TV, tha se skandali “zbulon probleme serioze në qeverisjen tuaj të korporatës”. Fuji TV që atëherë ka ngritur një komision të pavarur për të hetuar skandalin.
Në fillim të këtij muaji, rrjeti pezulloi një shfaqje javore që do të prezantohej nga Nakai, dhe rrjete të tjera të mëdha gjithashtu e kanë hequr prezantuesin. /ZËRI