
GREQI- Sërish drogë në portin e Pireut në Greqi. Raportohet se një sasi prej 21 kilogramë kokainë, e ndarë në 21 pako është sekuestruar këtë të mërkurë në kuadër të operacionit “Coca banana’’. Droga ishte fshehur në një kontejner që transportonte banane nga Ekuadori. Lënda narkotike, e cila dyshohet se shkon deri në vlerën e 1 milion eurove nëse do të dilte në treg, ishte fshehur makinerinë ftohëse të kontenjerit. Ajo u zbulua falë një kontrolli me rreze X.



Hetuesit kanë nisur menjëherë hetimet për të zbuluar se kush fshihet pas ngarkesës dhe nëse kjo sasi e kapur ka lidhje me drogën e sekuestruar disa javë më parë. Vetëm në pesë vitet e fundit, inspektorët doganorë të AADE-së, gjatë operacionit Coca Banana, modeli i së cilës përdoret edhe në aksione të tjera, kanë identifikuar dhe sekuestruar më shumë se 3 ton kokainë./ZËRI