
VATIKANI- Vatikani ka krijuar një protokoll të detajuar për ceremoninë mortore të Papa Françeskut. Kisha Katolike ka procedura specifike për të nderuar kujtimin e Papës dhe për të siguruar një tranzicion të rregullt të udhëheqjes së kishës. Në nëntor 2024, Françesku miratoi një botim të ri të "Ordo Exsequiarum Romani Pontificis", dokumenti që rregullon ritet e varrimit të një Pape. Modifikimet synojnë të thjeshtojnë disa aspekte të ceremonisë dhe të shprehin më qartë besimin në Krishtin e ringjallur.
Tradicionalisht, vdekja e një ponti përkujtohej me një ritual në të cilin "camerlengo"—një zyrtar i lartë i kishës që është përgjegjës për udhëheqjen e Kishës Katolike për kohën kur nuk ka një Papë në detyrë—i godet ballin me një çekiç të vogël argjendi. Teksa e godet e thërret 3 herë me emrin e pagëzimit.
Me rregulloren e re kjo praktikë është eliminuar dhe konfirmimi i vdekjes do të bëhet në kapelën private të Pallatit Apostolik.
Pas konfirmimit të vdekjes, trupi i Papës do të vendoset në një arkivol druri me një brendshme zinku, në vend të sistemit të vjetër të tre arkivole (selvi, plumb dhe lis). Është eliminuar edhe ceremonia private në kapelën e Pallatit Apostolik, kështu që trupi do të dërgohet direkt në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të shtrihet në një arkivol të hapur.
Mesha e varrimit do të kremtohet në Sheshin e Shën Pjetrit, e kryesuar nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve. Gjatë ceremonisë, titujt që lidhen me fuqinë e përkohshme do të shmangen, duke përdorur shprehje më të thjeshta si "Peshkop i Romës" ose "Pastor". Pas meshës, arkivoli do të transferohet në vendin e varrimit. Edhe pse tradita dikton që papët të varrosen në shpellat e Vatikanit, Françesku ka shprehur dëshirën për t'u varrosur në bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë. Pas varrimit, Kolegji i Kardinalëve fillon procesin e zgjedhjes së Papës së ardhshme. Gjatë periudhës së Sede Vacante, "camerlengo" është përgjegjës për administrimin e punëve të përkohshme të Kishës.
Papa i ri do të zgjidhet në një konklavë në Kapelën Sistine, gjatë së cilës kardinalët do të votojnë në fshehtësi derisa të arrijnë një shumicë prej dy të tretash. Vota regjistrohet në fletë votimi të vogla të bardha që digjen pasi të ketë përfunduar numërimi. Nëse nuk ka dakordësi, tymi që del nga oxhaku i Kapelës Sistine është ngjyrë gri. Pasi zgjidhet një Papë, një substancë digjet së bashku me fletët e votimit, duke prodhuar tym të bardhë - Fumata blanca - një sinjal që i përcjell botës se ka një udhëheqës të ri të Kishës Katolike.

Më pas, ai u paraqitet besimtarëve nga Ballkoni Qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, me kumtimin tradicional: Habemus Papam.
Papa, me t'u zgjedhur, dallohet nga klerikët e tjerë nga tre elementë kryesorë të veshjes së tij: kasoja e bardhë, shkopi papal dhe unaza. Secili prej këtyre simboleve ka një kuptim të thellë dhe pasqyron autoritetin e tij si udhëheqës i Kishës Katolike./ZËRI