Bota

Cilat janë planet e Izraelit, në rast se e pushton Gazën?

Izraeli ka në total 4 opsione sesi mund të veprojë, në rast se e pushton Gazën. Por, secili opsion mbart gjithashtu edhe kosto.

D.XH
Cilat janë planet e Izraelit, në rast se e pushton Gazën?
Gaza

GAZA – Izraeli, tashmë si hakmarrje ndaj Hamasit, është duke ndërmarrë aksione në Gaza dhe mund edhe ta pushtojë enklavën. Por shumë ngrenë pyetjen: Çfarë do të bëjë Izraeli, në rast se arrin që ta pushtojë Gazën?

Zyrtarët izraelitë për momentin thonë se janë të fokusuar në rrëzimin e Hamasit nga pushteti, si ndëshkim për masakrën që organizata palestineze kreu në Izraelin jugor më 7 tetor. “Gaza nuk do të jetë më një kërcënim për Izraelin. Ne nuk do të pajtohemi që Hamasi të ketë ndonjë pushtet në Gaza”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen.

Edhe pse Tel Avivi fokusohet në faktin se do shkatërrojë Hamasin, qëllimet e deklaruara të luftës të Izraelit duket se nuk kanë ndryshuar.

Çfarë mund të bëjë Tel Avivi?

Planet e Izraelit të pasluftës mbeten të panjohura. Mirëpo, ekzistojnë katër opsione kryesore, sesi mund të veprojë Tel Avivi, në rast se pushton Gazën.

Së pari do të pushtonte në një kohë të gjatë Gazën, njësoj siç kishte pushtet në këtë rajon nga viti 1967 deri në 2005. Në rast se në enklavë nuk do të ketë një qeveri palestineze, Izraeli mund të ketë më shumë kontroll mbi rajonin.

Kjo mund të jetë e leverdisshme për një pjesë të izraelitëve, të cilët ende kanë kritika për tërheqjen në vitin 2005 nga Gaza, teksa hodhën akuza, se u la jashtë Izraelit, një copëz e atdheut biblik të hebrenjve. Por askush tjetër nuk dëshiron ta shohë Gazën të ripushtuar, duke pasur parasysh barrën e rëndë financiare dhe mundësinë për një numër të madh viktimash. Biden paralajmëroi më 15 tetor se një okupim i vazhdueshëm, do të ishte një gabim i madh. Shumica e strategëve izraelitë pajtohen me qëndrimin e presidentit amerikan.

Opsioni i dytë është të zhvillohet një luftë që do shkatërronte Hamasin dhe më pas Izraeli të ikë nga territori. Edhe kjo teori është e rrezikshme. Kjo sepse disa nga udhëheqësit dhe mbështetësit e Hamasit sërish do të dilnin në skenë dhe organizata do të riformohej. Me shumë mundësi, një forcë tjetër e padëshirueshme nga Tel Avivi do të zinte vendin e Hamasit. Lindja e Mesme ka një histori grupesh radikale, që përfitojnë nga hapësirat e paqeverisura.

Zgjidhja më e mirë, nga këndvështrimi i Izraelit, do të ishte kthimi i Autoritetit Palestinez (PA) në Gaza, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor, në koordinim me Izraelin. Por kjo rrugë është e mbushur me pengesa. Më së pari, Mahmoud Abbas, presidenti palestinez, vështirë se do ta bënte këtë gjë.

Një opsion i tretë, mbetet që Izraeli të lejojë Autoritetin Palestinez, të dërgojë oficerët e tij në Gaza. Autoriteti aktualisht ka rreth 40 mijë njerëz, që shërbejnë për ruajtjen e sigurisë në një pjesë të Bregut Perëndimor. Por dhe ky opsion nuk është i mirë. Kjo, sepse Autoriteti Palestinez nuk gëzon mbështetje të madhe popullore dhe palestinezët do të kundërshtonin fuqishëm. E dyta është që policët palestinezë, që janë shërbimet e sigurisë së Mahmoud Abass, nuk ruajnë dot territorin e tërë, pasi edhe në Bregun Perëndimor, ata janë shumë joefikas.

Një opsion i katërt do të ishte krijimi i një administrate alternative, të përbërë nga njerëz të shquar vendas që punojnë ngushtë me Izraelin dhe Egjiptin. Është folur për përpjekjen për të rekrutuar Muhammad Dahlan, një ish-shef sigurie i PA, i cili u rrit në Gaza, për të drejtuar enklavën, pas Hamasit. Por Dahlan e ka kaluar dekadën e fundit në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Por ai është një person i diskretituar. Në vitin 2016 një gjykatë palestineze e dënoi atë për korrupsion. Ka gjithashtu plot histori hakmarrjesh mes tij dhe Hamasit.

Rasti i Dahlan tregon një problem më të madh. Palestinezët janë përçarë për gati dy dekada. Ndarja është kryesisht për faj të tyre, sepse asnjëra palë nuk dëshiron të bëjë kompromis. Por përçarja është përkeqësuar gjithashtu nga politika përça dhe sundo e Binyamin Netanyahu, kryeministrit izraelit. Ai mendon se me këtë politikë ndalon ëndrrën palestineze, për një shtet të pavarur.

Sondazhi më i fundit nga Qendra Palestineze për Kërkimin e Politikave dhe Anketave zbuloi se 65% e banorëve të Gazës do të votonin për Ismail Haniyeh, udhëheqësin e Hamasit, në një garë presidenciale kundër Abbas (i cili do të humbiste Bregu Perëndimor gjithashtu). Hamasi do të fitonte 44% të votave në Gaza në një votim parlamentar, ndërsa Fatah, fraksioni i Abbas, do të merrte vetëm 28%./The Economist/

Poll

MOS HUMB