Bota

'Cherchez la femme'/ Xi Jinping braktis samitin në Brazil, pas kritikave të bashkëshortes së Lula-s ndaj TikTok

Sipas burimeve të Corriere della Sera, arsyeja e braktisjes nuk është ndonjë çështje strategjike apo ekonomike, por një incident gjatë darkës shtetërore në Pekin më 13 maj, gjatë vizitës zyrtare të Lulës dhe Janjës në Kinë.

f.g
'Cherchez la femme'/ Xi Jinping braktis samitin në Brazil, pas
Lula dhe Xi Jinping

Nga Paolo Valentino – përshtatur në shqip

Samiti i BRICS që po mbahet në Rio de Janeiro, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit diplomatik për presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, është tronditur nga mungesa e papritur e presidentit kinez Xi Jinping – një zhvillim që ka errësuar pritshmëritë për këtë takim.

Ky samit pritej të shërbente si një tjetër moment triumfi për Lulën, i cili është një nga anëtarët themelues të BRICS. Grupi është zgjeruar vitin e fundit me Arabinë Saudite, Egjiptin, Etiopinë, Emiratet e Bashkuara, Iranin dhe Indonezinë, dhe shihet si një kundërpeshë ndaj G7 dhe rendit të dominuar nga SHBA dhe aleatët perëndimorë.

“Do të jetë samiti më i mirë që nga krijimi i BRICS,” – kishte paralajmëruar Lula me entuziazëm.
Por në vend të një triumfi diplomatik, mungesa e Xi Jinping ka zvogëluar peshën simbolike dhe politike të samitit, duke ngritur pyetje mbi një përplasje të pazakontë diplomatike që lidhet me... Zonjën e Parë të Brazilit, Janja da Silva.

“Cherchez la femme”: A e zemëroi Janja presidentin kinez?

Sipas burimeve të Corriere della Sera, arsyeja e braktisjes nuk është ndonjë çështje strategjike apo ekonomike, por një incident gjatë darkës shtetërore në Pekin më 13 maj, gjatë vizitës zyrtare të Lulës dhe Janjës në Kinë.

Gjatë banketit zyrtar, kur mendohej se gjithçka kishte mbaruar, Janja ngriti dorën papritur dhe mori fjalën, duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit Xi, që ndodhej pranë saj. Në një deklaratë që tronditi të pranishmit, ajo kritikoi platformën TikTok, duke e cilësuar si një mjet që “ndihmon përhapjen e propagandës së ekstremit të djathtë” dhe që “është shumë i dëmshëm për fëmijët”.

Atmosfera u ngrirë menjëherë. Sipas dëshmitarëve, bashkëshortja e Xi Jinping, Peng Liyuan, reagoi me nervozizëm, duke e cilësuar deklaratën si të papërshtatshme dhe fyese ndaj burrit të saj. Presidenti Lula ka pranuar se gruaja e tij foli në banket, por ka minimizuar incidentin:

“Nuk ishte gjë e madhe. Xi u përgjigj me korrektësi, duke theksuar se çdo vend ka të drejtë të vendosë rregullat e veta.”

Megjithatë, fakti që Xi Jinping vendosi të mos marrë pjesë në një samit ku Kina ka rol themelor, është interpretuar nga vëzhguesit si një sinjal diplomatik i ftohtë, në formën e një “shuplake të heshtur”.


Janja Lula da Silva, sociologe 58-vjeçare, është ndryshe nga paraardhëset e saj në rolin e zonjës së parë. Ajo ka qenë kritike aktive ndaj medieve sociale, ka mbrojtur fuqishëm rregullimin e platformave si TikTok dhe X (ish-Twitter), dhe nuk është tërhequr përballë figurave si Elon Musk, me të cilin pati një përplasje të drejtpërdrejtë publike gjatë G20 në Brazil:

“Nuk kam frikë nga ty. Në djall Elon Musk,” tha Janja në një transmetim televiziv, duke nxitur reagime të shumta.

Mungesa e Xi Jinping ka prishur jo vetëm balancën e samitit të BRICS, por edhe ambicien e Brazilit për të treguar veten si një fuqi ndërmjetëse globale mes Lindjes dhe Perëndimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB