
BRITANI E MADHE- Aparatet e njëpërdorshme të "vape" janë vendosur që të ndalohen si pjesë e një plani për të ndalur numrin e të rinjve që i përdorin. Gjithashtu do të merren masa për të parandaluar shitjen e 'vape-ave' tek fëmijët. Kryeministri Rishi Sunak pritet të shpjegojë planet gjatë një vizite në një shkollë, lëvizje kjo që vjen krahas me atë për ndalimin e shitjes së cigareve ndaj kujto që ka lindur pas 1 janarit 2009, si pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një "brez pa duhan".
Sekretarja e Shëndetësisë Victoria Atkins i tha 'BBC-së' se ishte e bindur se ligji i ri do të kalonte në Parlament para zgjedhjeve, ndërsa në fuqi do të hynte në vitin 2025. Ndryshimet e fundit do të ndalojnë shitjen e tyre për fëmijët dhe do kërkojnë nga kompanitë që të prodhojnë paketim më të thjeshtë dhe më pak tërheqës.
Me ligjin e ri, qeveria do të jetë gjithashtu në gjendje të urdhërojë dyqanet që të mos i shfaqin këto produkte dhe t'i mbajnë larg syve të fëmijëve dhe produkteve të tjera për të cilat mund të jenë të interesuar të vëgjli, psh.ëmbëlsirat. Gjithashtu do të diskutohet edhe se cilat shije do të lejohen që të prodhohen. Për të ndihmuar në ndalimin e shitjeve tek të miturit, do të vendosen gjoba për çdo dyqan në Angli dhe Uells.
Autoritetet lokale mund të vendosin një gjobë maksimale prej 2,500 £.
Alternativat e 'vape-ave' si qeskat e nikotinës - qeskat e vogla të bardha që vendosen midis buzës dhe çamçakëzit - do të ndalohen gjithashtu për fëmijët. Qeset lëshojnë nikotinë, por nuk përmbajnë duhan, kështu që aktualisht mund t'u shiten ligjërisht moshave nën 18 vjeç. Ndërsa përdorimi i vape në thelb është më pak i dëmshëm se pirja e duhanit, por duke qenë se është një prodhim i viteve të fundit, nuk dihen rreziqet e tij afatgjata.
Nga ana tjetër, Shoqata e Industrisë së 'Vape' në Mbretërinë e Bashkuar tha se produktet e tyre kishin luajtur një rol kyç duke ndihmuar miliona të rritur që të linin dhe të ndalonin cigaren. Sipas tyre, ndalimi do t'i vinte fëmijët në rrezik më të madh, pasi do të kishte një rritje të shitjes së tyre në tregun e zi.
Aktualisht, Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar një grupi të vogël vendesh që planifikojnë të ndalojnë vape-at njëpërdorshme. Australia, Franca, Gjermania dhe Zelanda e Re kanë njoftuar të gjitha plane të ngjashme, megjithëse vetëm Zelanda e Re i ka zbatuar deri më tani. Disa do të argumentojnë se planet e Mbretërisë së Bashkuar ende nuk godasin sa duhet, në një kohë që Australia i shet vetëm me recetë./ZËRI