Bota

Bombardime të tjera ruse në Ukrainë, vritet 10-vjeçari dhe gjyshja e tij

Pas sulmit të djeshëm, Rusia godet sërish me raketa rajonin e Kahrkiv

D.XH
Bombardime të tjera ruse në Ukrainë, vritet 10-vjeçari dhe
Rrënojat nga bombardimet ruse në Ukrainë

KHARKIV - Një sulm raketor rus vrau një djalë 10-vjeçar dhe gjyshen e tij të premten në qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, një ditë pasi një sulm në të njëjtin rajon vrau të paktën 51 civilë.

Gazetarët e Associated Press panë ekipet e emergjencës duke nxjerrë trupin e djalit nga rrënojat e një ndërtese pas sulmit, të ndodhur herët në mëngjes. Sulmi vrau gjithashtu gjyshen e djalit dhe plagosi një fëmijë 11-muajsh, tha ministri i Brendshëm Ihor Klymenko në Telegram.

Zyrtarët thanë se forcat e Kremlinit përdorën dy raketa Iskander në sulm, njësoj si në agresionin e një dite më parë në fshatin lindor të Hrozës, që vrau 51 persona.

Njëra prej raketave ra në rrugë, duke lënë një krater dhe tjetra goditi një ndërtesë trekatëshe, duke i vënë flakën asaj. Mbeturinat dhe rrënojat mbuluan rrugën. Ndërtesat përreth janë nxirë nga shpërthimi, që dëmtoi makinat e parkuara.

Yevhen Shevchenko, një banor i një ndërtese nëntëkatëshe aty pranë, tha se ishte në shtrat kur ndodhi sulmi. “Ishte një shpërthim i fuqishëm. Banesa u trondit”, tha ai.

Një ditë më parë, një raketë balistike ruse Iskander shndërroi në gërmadha një kafene dhe një dyqan në Hroza, një fshat në Ukrainën lindore, duke vrarë të paktën 51 civilë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi se Rusia ishte përgjegjëse për sulmin në Hroza. Ai këmbënguli, siç ka bërë Moska në të kaluarën, se ushtria ruse nuk synon objektet civile.

Zyra e shefit të OKB-së për të drejtat e njeriut tha se ai ishin “të tronditur dhe të pikëlluar" nga sulmi në Hroza. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, duke marrë pjesë në një samit të rreth 50 liderëve evropianë në Spanjë, e quajti sulmin një "krim rus brutal" dhe "një akt plotësisht të qëllimshëm terrorizmi".

Vizita e Zelenskyy në samit synonte të siguronte më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. “Do të kemi më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore”, shkroi ai në kanalin e tij Telegram. Sistemet e mbrojtjes ajrore janë thelbësore, pasi zyrtarët ukrainas përpiqen të parandalojnë sulme si ato në Kharkiv. Rusia ka nisur një valë sulmesh në UKrainë, kryesisht në rajonin e Kharkiv. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB