
KOSOVË - Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në T7 ka folur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Ai ka thënë se procesi hetimor po vazhdon në disa faza, duke shtuar se Policia e Kosovës është treguar mjaft efikase sa i përket këtij rasti. Hoxha u shpreh se mbetet të zbulohet motivi i vrasjes dhe se për këtë gjë janë duke u hetuar disa pista. Ai ka thënë se s’mund të flasë ende për motivin, derisa të mos ketë një kristalizim për këtë çështje.
“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, ka thënë Hoxha në T7.
Kreu i Policisë së Kosovës ka thënë se brenda policisë ka hetues që kanë një përvojë shumë të madhe dhe se që në momentet e para, kur ka ndodhur rasti i vrasjes së Liridonës, kanë dyshuar se ka diçka që nuk shkon. Hoxha ka thënë se sqarimet që janë dhënë nga Naim Murseli dhe personat e tjerë s’kanë qenë bindëse.
“Policia e Kosovës ka nivel të lartë profesional. Edhe policët hetues punojnë në kohë të gjatë dhe kanë përvojë në hetim. Që në momentet e para, kemi pasur indicie që diçka nuk është në rregull. Nuk mjaftohemi me indicie, na është dashur të sigurojmë prova për të arrestuar dikë. Rasti u raportua që ka qenë grabitje. Sqarimet që janë dhënë nga vetë Naim Murseli dhe nga personat e tjerë s’kanë qenë bindesë për ne dhe kemi nxjerrë të gjitha faktet dhe dëshmitë. Është ekzaminuar gjithë procesi, kamerat që kanë shtëpitë në atë vendndodhje, ku është kryer vrasja”, ka thënë Hoxha.
I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha ka thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi, nuk ka kamera. “Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka shtuar ai. I pyetur për fatin e telefonit të Liridona Ademajt, Hoxha ka thënë se s’i di të gjitha detajet, por ka shtuar se përmes telefonave të konfiskuar është arritur që të lidhen të gjithë personat e dyshuar për vrasjen.
“Nuk mund të t’i them të gjitha detajet. Por përmes dëshmive të marra nga telefonat, kemi arritur të lidhim të gjithë personat e dyshuar me këtë vrasje. Telefonat e konfiskuar po ekzaminohen”, ka deklaruar drejtori Hoxha. I pyetur për arrestime të reja të mundshme për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Hoxha është shprehur se s’përjashtohen dhe se ende s’ka përfunduar e gjitha. “Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet e tjera, që mund të dalin gjatë rrugës. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë arrestime. Mirëpo kjo nuk është e tëra që dimë nga rasti, edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, u shpreh Hoxha.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI/