
KOSOVË- Lista Serbe ka reaguar në lidhje me bojkotin e referendumit të mbajtur këtë të dielë në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, Mitrovica e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zutin Potok. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lista Seërbe shkruan se procesi i sotëm ishte “një shfaqje e Kurtit” dhe e orkestruar nga “regjimi” i Prishtinës.
“Duam të përsërisim qartë se ishim më se të gatshëm të marrim pjesë në këtë proces për të parë prapavijën dhe për të zëvendësuar këta kryetarë fallco në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të dirigjuara nga regjimi në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët deklaroi se procesi dështoi pas presionit të bërë nga Beogradi ndërsa shtoi se Bashkimi Euroopian duhet të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës. I të njëjtës linjë ka qenë dhe ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Përmes një postimi në X, Krasniqi shkruan se tani më shumë se kurrë BE-ja duhet t’i heqë të gjitha masat e padrejta ndaj Kosovës.
“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës. Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të frenohet më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë. Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore, pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë”, shkruan ai.
Pse po mbahen votimet?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në fund të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në maj 2023, kur këta kryetarë, përjashtuar Atiqin, shkuan në zyret e tyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb. Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët. Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.
Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët. Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme, nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.
Sipas udhëzimit, do të duhen 50 për qind, plus një votë, nga lista e votuesve të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet./ZËRI