
ITALI- E komplikuar është pak të thuhet, por Italia po ndjek hap pas hapi skandalin seksual ku është përfshirë tashmë ish-ministri i Kulturës, Gennaro Sangiuliano. Dje ai dha dorëheqjen e parevokueshme, e cila herën e parë i ishte refuzuar nga kryeministrja Giorgia Meloni. Por tashmë vendimi është final! Madje sot është caktuar edhe pasardhësi i tij. Ministri i ri i Kulturës në vendin fqinjë do të jetë Alessandro Giuli, i njohur për publikun si gazetar, ndërsa vetë Sangiuliano duket se i ka idetë e qarta për të ardhmen e tij.
"Tani do të jem avokati i vetes time. Dua që ata që kanë shkruar gënjeshtra për mua të dënohen në gjykata,"-tha ai në një intervistë për Il Messaggero duke shtuar se e ka ndërgjegjen të pastër e se kurrë nuk ka abuzuar me paratë publike.
Por në asnjë moment nuk flet për Maria Rosaria Boccian dhe as nuk i kërkon falje.
Por si nisi historia e skandalit?
Gjithçka filloi kur më 26 gusht Boccia publikoi një postim në llogarinë e saj në Instagram duke falënderuar Sangiuliano për emërimin e saj si këshilltare të ministrit për ngjarjet e mëdha, një emërim i mohuar më vonë nga ministria. Por Boccia ka publikuar vazhdimisht foto e pamje për të vërtetuar përfshirjen e saj në aktivitetet institucionale të ministrisë, duke bërë që çështja t'i ngjasojë gjithmonë e më shumë një skandali politik ku çështja qëndronte tek shfrytëzimi i fondeve publike. Kjo e detyroi Sangiulianon vetë të ndërhynte, duke dhënë një intervistë në Tg1 ku pranonte lidhjen me Boccia-n, por sqaroi se asnjë nga shpenzimet e udhëtimeve me të nuk ishin mbuluar nga buxheti i qeverisë dhe paratë publike, por personale.
Madje deklaroi se kishte kërkuar dorëheqjen, por Meloni nuk e kishte pranuar. Deri dje!
Tani ish-ministri duket se e di çfarë do të bëjë me çështjene tij.
"Do të veproj, së bashku me avokatët që do të më ndihmojnë, si avokati im. Kam një diplomë juridike dhe një doktoraturë në drejtësi."
Për rastin foli sot edhe Giorgia Meloni. Në Forumin Teha në Cernobbio, kryeministrja Giorgia Meloni iu rikthye temës që po gëlon në vendin e saj duke shpjeguar se ministri Sangiuliano dha dorëheqjen, por nuk pati keqbërje ndaj vendit nga ana e tij.
"Kishte vëmendje të fortë mediatike që e shndërroi një çështje private në një çështje publike. Nuk mendoj se është diçka për të cilën duhet të dorëzohemi dhe prandaj nuk e pranova fillimisht dorëheqjen e Sangiulianos. Por nëse dikush mendon se situata si ajo e Sangiulianos mund të dobësojnë qeverinë, e ka gabim. Një ministër dha dorëheqjen, i urojmë punë të mbarë ministrit të ri,"-tha ajo.
Një goditje e la në fund edhe për Boccian.
"Unë nuk mendoj se duhet të filloj të debatoj me këtë person, e them këtë për shumë gra që e kanë parë këtë histori si unë. Ideja ime se si një grua duhet të fitojë hapësirën e saj në shoqëri është diametralisht e kundërt me atë të këtij personi”.
Sot për herë të parë ka folur edhe ish-bashkëshorti i Maria Rosaria Boccia.
“Nuk jam i habitur dhe as nuk e kam zili ministrin. Nëse dëshiron, i jap numrin e avokatit tim që po merret me divorcin tim që vazhdon ende pas dhjetë vitesh me zonjën. A kam 10 vjet i martuar me të? Jeni të çmendur? Dhjetë vjet me zonjën Boccia? Absolutisht jo, një vit më mjaftoi dhe më ka tepruar,"-tha ai për “4 di Sera”, por pa e zbuluar emrin e tij.
Pas dorëheqjes së ministrit të Kulturës Gennaro Sangiuliano, sot kanë ardhur gjithashtu deklarata të reja nga Maria Rosaria Boccia. Ajo pretendon se nuk ka qenë ajo personi që e ka spiunuar ministrin dhe se është e hapur për t'u hetuar. Por gjithashtu shprehu keqardhjen që afera e tyre i kushtoi vendin e punës.
"A jam unë spiune? Absolutisht jo. Unë nuk po spiunoja ministrin, po punoja me ministrin. Nuk kam frikë nga hetimi, thjesht thashë të vërtetën. Unë u mbylla tetë ditë në shtëpi sepse isha në të gjitha gazetat. Më vjen keq për dorëheqjen e tij. Ai e ka merituar atë vend, ishte shumë kompetent edhe shumë njeri i mirë. Ai u gjend në një situatë që nuk ishte në gjendje ta menaxhonte. Më vjen shumë keq".
Gjatë intervistës Maria Rosaria Boccia tha gjithashtu se në këtë situatë do të përfshiheshin edhe femra të tjera, por nuk i përmendi me emër, e megjithatë la të kuptohej se Sangiuliano kishte pasur edhe marrëdhënie të tjera jashtëmartesore.
"I kërkoj ministrit të thotë të vërtetën. Nuk jam vetëm unë dhe ministri në këtë të vërtetë. Ka shumë gra të përfshira që nuk po i përmendim. I kërkoj ministrit të thotë të vërtetën për ne. Mendoj se e gjithë kjo situatë duhet të shuhet sa më shpejt, pa i shkaktuar dëm të mëtejshëm askujt dhe pa përfshirë njerëz që nuk kanë qenë të përfshirë deri më tani,"-e mbylli ajo intervistën e saj.
Teksa të gjithë kanë nisur që të flasin, shumë mbetet për t'u mësuar lidhur me skandalin më të ri të politikës./ZËRI