Bota

Biznesmeni i arratisur Dushko Knezheviç, ekstradohet nga Britania në Mal të Zi

Prokuroria Speciale e Shtetit ishte në kërkim të Knezheviçit, pronar i Atlas Group, që nga korriku i vitit 2019 dhe ndaj tij janë ngritur tri aktakuza për organizim të grupit kriminal, pastrim parash dhe keqpërdorime në ekonomi.

Redaksia Zëri
Biznesmeni i arratisur Dushko Knezheviç, ekstradohet nga Britania në
Dushko Knezheviç

MALI I ZI- Biznesmeni i akuzuar Dushko Knezheviç, është ekstraduar në Mal të Zi nga Britania e Madhe më 30 prill, njoftoi Administrata e Policisë e Malit të Zi. Mali i Zi është në kërkim të tij për disa procedime penale.

“Për shkak të dyshimit se ka kryer vepra penale të shpërdorimit të pozitës në veprimtari biznesi me anë të nxitjes, krijimit të organizatës kriminale dhe pastrimit të parave”, thotë policia.

Përkatësisht, Prokuroria Speciale e Shtetit ishte në kërkim të Knezheviçit, pronar i Atlas Group, që nga korriku i vitit 2019 dhe ndaj tij janë ngritur tri aktakuza për organizim të grupit kriminal, pastrim parash dhe keqpërdorime në ekonomi. Që prej fillimit të hetimeve, ai ka banuar në Britaninë e Madhe, shtetas i së cilës është. Ekstradimi u krye herët në mëngjes me një fluturim special mes Londrës dhe Podgoricës.

Procedura e ekstradimit u krye nga Drejtoria e Policisë dhe Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi, nga njëra anë, dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Britanisë së Madhe, me mbështetjen e Zyrës së oficerëve ndërlidhës të Britanisë së Madhe në Beograd dhe Ambasadës së tyre në Podgoricë. Knezheviç do të dërgohet në Gjykatën e Lartë në Podgoricë.

Katër ditë para ekstradimit, ish-kryeministri Dritan Abazoviç tha se do të ishte mirë që presidenti i Atlas Group, Dushko Knezheviç, të ishte dëshmitar i mbrojtur në Mal të Zi dhe t’i tregonte prokurorisë gjithçka që di për bizneset dhe aktivitetet ekonomike të ish-qeverisë. 

Knezheviç është akuzuar edhe në rastin “Aeroportet”, ku së bashku me drejtorët e bankës së tij Atlas, Marko Nikoliç dhe Dijana Zeçeviç, dyshohet se kanë dëmtuar aeroportet e Malit të Zi për tre milionë euro. Në vitin 2019 shpërtheu afera “Koverat”, kur Knezheviq publikoi një video ku shfaqej duke i dorëzuar, siç pretendonte, 97.500 euro ish-kryetarit të Komunës së Podgoricës, Slavoljub Stijepoviç.

Ai tha se ishin para për financimin e fushatës zgjedhore të autoriteteve të DPS-së dhe se këtë e ka bërë në marrëveshje me liderin e DPS-së, Millo Gjukanoviç. Në dhjetor të vitit 2019, është ngritur një aktakuzë kundër Stijepoviqit për pastrim parash, ndërsa Knezheviq u etiketua si organizator i një grupi kriminal.

Në mars të vitit 2021, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe pezulloi procedurat kundër Stijepoviqit në aferën e fshehtë. Çështja u kthye për një gjykim të ri. Knezheviç në mënyrë të përsëritur ka akuzuar ish-presidentin e shtetit dhe liderin e DPS-së, Millo Gjukanoviq, se po përpiqej të merrte punët dhe pronën e tij.

Përmes rrjeteve sociale, së bashku me mesazhet intriguese, ai ka publikuar një seri fotosh të përbashkëta me presidentin Gjukanoviq, miqtë e tyre të përbashkët, zyrtarë të DPS-së dhe drejtues të prokurorisë./REL

Poll

MOS HUMB