
HAITI- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur evakuimin e stafit të ambasadës nga Haiti në mesnatë pasi dhjetëra anëtarë të bandave të armatosur rëndë u përpoqën të marrin nën kontroll institucionet të kryeqytetit, Port-au-Prince. Objektivi i operacionit ishte forcimi i sigurisë së ambasadës për të siguruar që do të vazhdojë të funksionojë.
Misioni u krye me një avion ushtarak, për të cilin nuk u ofrua asnjë detaj, përveçse në bord nuk kishte haitianë dhe u transportua vetëm personeli që punonte për qeverinë amerikane. Një zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, e ngarkuar me politikën e jashtme, informoi EFE se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i dha personalisht dritën jeshile misionit.
“Presidenti Biden e miratoi operacionin. Ai është informuar, merr përditësime nga ekipi i tij dhe është thellësisht i shqetësuar për situatën në Haiti”, tha zëdhënësja.
Operacioni amerikan u zhvillua ndërsa sulmet nga bandat e armatosura vazhdojnë në zonën metropolitane Port-au-Prince. Bandat e Haitit filluan një ofensivë për të rrëzuar qeverinë më 29 shkurt, duke sulmuar dhe plaçkitur stacionet e policisë, burgjet dhe spitalet dhe duke rrethuar vende strategjike, duke përfshirë portin dhe aeroportin. Po ashtu, janë sulmuar edhe ministritë qeveritare, ambasadat, konsullatat, bankat dhe hotelet, si dhe gjykata supreme e Haitit dhe rezidenca zyrtare presidenciale.
Kryeministri, Ariel Henry, i cili ishte jashtë vendit kur filloi rebelimi, e ka gjetur veten të bllokuar në Porto Riko.
Ndërkohë aktualisht, Haiti po pret vendosjen e atij misioni mbështetës shumëkombësh të sigurisë të udhëhequr nga Kenia, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së tetorin e kaluar./ZËRI