
SHBA- “Ka shumë në lojë dhe zgjedhja është e qartë. Së bashku do të fitojmë”. Ky është mesazhi i ri i ekipit të fushatës së presidentit amerikan Joe Biden, i cili me gjithë presionin që është shtuar së fundmi nga anëtarët e partisë së tij për shkak të rënies së ndjeshme të sondazheve, ende nuk ka njoftuar asgjë për tërheqjen, përkundrazi duket se është duke këmbëngulur për momentin në qëndrimin për të kërkuar një mandat të ri presidencial.
Pak orë më parë, presidenti amerikan kritikoi kundërshtarin e tij republikan, Donald Trump, pasi tha se ka një "vizion të errët" për Amerikën, ndërsa theksoi se mezi pret të kthehet në garë javën e ardhshme dhe të fitojë zgjedhjet në Nëntor.
“Vizioni i errët i Donald Trump për të ardhmen nuk përfaqëson kush jemi ne si amerikanë. Sot si parti dhe si shtet mundemi dhe do ta mposhtim në votime. Mezi pres të kthehem në garë javën e ardhshme për të vazhduar ekspozimin e kërcënimit të paraqitur nga axhenda e Donald Trump për vitin 2025...”, tha Biden në një deklaratë pas përfundimit të Konventës Kombëtare Republikane./ZËRI