
SHBA – Presidenti amerikan Joe Biden festoi ditëlindjen e tij të 81-të të hënën, ndërsa pyetjet rreth moshës vazhdojnë të dominojnë zgjedhjet e 2024-ës. Biden është kandidatti më i vjetër për postin e presidentit në historinë e SHBA. Nëse rizgjidhet, ai do të jetë 82 vjeç në fillimin e mandatit të tij të dytë dhe 86 vjeç kur të përfundojë.
Ish-presidenti Donald Trump, kandidati kryesor i republikanëve, nuk është shumë prapa në këtë aspekt, pasi është 77 vjeç. Mirëpo, Biden deri më tani është përballur me më shumë kritika mbi moshën e tij sesa Trump, megjithëse të dy kanë pasur gabime të dukshme gjatë fushatës elektorale.
Refreni i zakonshëm i Biden për ata që e kritikojnë atë për moshën e tij ka qenë, "të më shikojnë". Administrata ka mbrojtur presidentin, duke thënë se ai është i aftë ta bëjë punën, pavarësisht se ndjekësit kanë parë se ai ecën ngadalë dhe shpesh bën edhe gafa.
“Presidenti ka përdorur përvojën e tij për të miratuar ligje. Përvoja e ka ndihmuar shumë atë. Ai ka qenë në gjendje të menaxhojë sfida të shumta të politikës së jashtme”, tha një zëdhënëse e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Por, sondazh pas sondazhi tregohet se çështja e moshës është ajo që votuesit diskutojnë më shumë kur është fjala për Biden.
Tre të katërtat e amerikanëve (74%) thanë se Biden ishte shumë i vjetër për të kandiduar për një mandat tjetër, në një sondazh të kryer nga ABC News dhe Uashington Post në shtator. Ky numër përfaqësonte një rritje prej 6% që nga maji, një muaj pasi Biden tha se do të kandidojë sërish për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Gjysma e amerikanëve (50%) menduan të njëjtën gjë për Trump, sipas sondazhit.
Një sondazh i CNN zbuloi se 56% e votuesve të mundshëm demokratë thanë se mosha ishte shqetësimi i tyre më i madh në lidhje me Biden. Sondazhi, i kryer nga Universiteti i New Hampshire, u publikua javën e kaluar. Biden shpesh bën shaka për moshën e tij gjatë fushatës.
Vitin e kaluar, Biden shënoi ditëlindjen e tij të 80-të me një drekë të qetë në Shtëpinë e Bardhë me familjen e tij. Në atë kohë, Biden po mendonte nëse do të kandidonte përsëri, ndërsa demokratë të tjerë veteranë, si ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftuan se po largoheshin nga rolet e tyre drejtuese, me qëllim që në krye të vendit të vijnë njerëz nga brez më i ri./Zëri.ai/