Bota

BE miraton rregulla të reja për të mbrojtur gazetarët

Direktiva, e cila u miratua me 546 vota pro, 47 kundër dhe 31 abstenime, synon të godasë një praktikë tashmë të njohur të korporatave dhe të politikanëve.

f.t
BE miraton rregulla të reja për të mbrojtur gazetarët
foto ilustruese

STRASBURG- Parlamenti i Evropës ka miratuar Direktivën e Bashkimit Evropian kundër Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP).

Direktiva, e cila u miratua me 546 vota pro, 47 kundër dhe 31 abstenime, synon të godasë një praktikë tashmë të njohur të korporatave dhe të politikanëve, të cilët përdorin burimet e veta njerëzore dhe financiare për të zvarritur në procese të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore media apo aktivistë, me synim të frikësimit të tyre, duke e ditur se pretendimet janë të pabazuara.

Sipas një njoftimi të Parlamentit Evropian, ligji i ri synon “të sigurojë individët dhe organizatat që punojnë në çështje të interesit publik, të tilla si të drejtat themelore, aludimet për korrupsion, mbrojtjen e demokracisë apo luftën kundër diskriminimit, të kenë mbrojtjen nga BE përkundrejt padive civile të pabazuara ose abuzive.”

Qeveritë e BE-së do të sigurohen gjithashtu që viktimat e mundshme të padive abuzive të kenë akses në informacion në një vend të vetëm mbi masat mbrojtëse procedurale dhe mjetet juridike, duke përfshirë ndihmën juridike dhe mbështetjen financiare dhe psikologjike. Shtetet anëtare do të duhet të sigurojnë ofrimin e ndihmës juridike në proceset civile ndërkufitare. Ata gjithashtu duhet të publikojnë të gjitha aktgjykimet përfundimtare në rastet SLAPP (padi strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut) dhe të mbledhin të dhëna të detajuara rreth tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB