
BRUKSEL - Bashkimi Evropian ‘theu’ të mërkurën ngërçin politik, duke rënë dakord për një marrëveshje që do të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si blloku kufizon hyrjen e emigrantëve, lëviz migrantët nëpër vendet e BE-së dhe në mënyrë efektive e bën më të lehtë deportimin e aplikantëve të pasuksesshëm në azil.
Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola e përshëndeti marrëveshjen si historike. Negociatorët punuan gjatë gjithë natës për të rënë dakord për rishikimin e procedurave të azilit të BE-së, duke sinjalizuar një zhvendosje emigratësh edhe në vendet jo anëtare të unionit, pas viteve të përpjekjeve të dështuara për të rënë dakord mbi rregulloret që qetësojnë vendet që kanë më tepër azilantë, që duan ndihmë për trajtimin e azilkërkuesve.
Sipas marrëveshjes, e cila ende duhet të ratifikohet zyrtarisht, vendet e Evropën Jugore do të vendosin një procedurë më të rreptë azili në kufijtë e tyre jashtë BE-së dhe do të kenë më shumë fuqi për të dëbuar azilkërkuesit e refuzuar. Vendeve do t'u jepet një zgjedhje, nëse do të pranojnë një numër të caktuar migrantësh ose do të paguajnë në një fond të përbashkët të BE-së.
"Migrimi është një sfidë evropiane që kërkon zgjidhje evropiane," tha Komisioni Evropian Ursula von der Leyen, duke sinjalizuar më tej një mbështetje të unifikuar të BE-së për masa më të rrepta, për të luftuar popullaritetin në rritje të platformave të së djathtës ekstreme kundër emigrantëve në të gjithë Evropën.
Marrëveshja vjen vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të BE-së, me sondazhet që tregojnë një rritje të mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë dhe anti-imigracion në vende si Gjermania dhe Holanda. Debati rreth emigracionit është vendosur të jetë një element vendimtar dhe ndarës i zgjedhjeve në Evropë në 2024.
Detajet e plota të marrëveshjes politike nuk janë bërë publike. Duke folur me gazetarët në Bruksel të mërkurën në mëngjes, Metsola pranoi se marrëveshja nuk ishte një paketë e përsosur dhe mohoi që pasqyronte propozimet nga e djathta ekstreme, duke argumentuar se ishte një kompromis politik i arritur midis partive centriste. “Është një zgjidhje nga partitë e qendrës, që vazhdon pragmatizmin”, tha Metsola.
Komisionerja e Çështjeve të Brendshme Ylva Johansson, e cila është përgjegjëse për migracionin e BE-së, paralajmëroi se masat e përfshira në marrëveshje nuk do të zbatoheshin menjëherë, veçanërisht sepse vendet anëtare duhet të transpozojnë disa nga dispozitat në legjislacionin kombëtar.
Agjencia kufitare e BE-së Frontex tha këtë muaj se ka pasur më shumë ardhje pa dokumente në bllok deri më tani këtë vit se në çdo vit që nga 2015. Mbi një milion emigrantë dhe refugjatë mbërritën në kufijtë e BE-së, shumë prej të cilëve u larguan nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan. Në vitin 2022, gati një milion njerëz aplikuan për azil në Evropë.

Amnisty International: Marrëveshja e BE për emigrantët do të shtojë vuajtjet e njerëzve
Marrëveshja ka pasur kritika nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që kanë thënë se masat e marra do të shtonin vuajtjet njerëzore. ‘Reformat e miratuara sot nga BE-ja mbi Paktin për Migracionin dhe Azilin do ta kthejnë ligjin evropian të azilit prapa në kohë dhe do të çojnë në vuajtje më të mëdha njerëzore. Marrëveshja e arritur sot nga Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian do të pakësojë të drejtat e njerëzve në lëvizje.
Kjo marrëveshje do të shtyjë ligjin evropian të azilit për dekadat e ardhshme. Rezultati i tij i mundshëm është një rritje e vuajtjeve në çdo hap të udhëtimit të një personi për të kërkuar azil në BE. Nga mënyra se si trajtohen nga vendet jashtë BE-së, qasja e tyre në azil dhe mbështetja ligjore në kufirin e Evropës, deri te pranimi i tyre brenda BE-së, kjo marrëveshje është krijuar për ta bërë më të vështirë për njerëzit aksesin e sigurisë.
Pakti pothuajse me siguri do të bëjë që më shumë njerëz të futen në paraburgim de fakto në kufijtë e BE-së, duke përfshirë familjet me fëmijë dhe njerëzit në situata të cenueshme. Do të reduktohen masat mbrojtëse për njerëzit që kërkojnë azil në BE, do ketë më shumë njerëz të kanalizuar përmes procedurave nën standarde të azilit në kufi, në vend që të marrin një vlerësim të drejtë dhe të plotë të kërkesave të tyre për azil.
Pakti i Migracionit gjithashtu nuk mbështet konkretisht shtetet ku njerëzit mbërrijnë fillimisht në Evropë, duke përfshirë Italinë, Spanjën ose Greqinë. Në vend që t'i jepet përparësi solidaritetit përmes zhvendosjeve dhe forcimit të sistemeve të mbrojtjes, shtetet do të jenë në gjendje të paguajnë thjesht për të forcuar kufijtë e jashtëm ose të financojnë vendet jashtë BE-së për të parandaluar njerëzit të arrijnë në Evropë.
Marrëveshja e arritur sot u lejon vendeve gjithashtu të zgjedhin një gamë të gjerë rregullash të BE-së për azilin në kohë të rritjes së ardhjeve. Këto përjashtime rrezikojnë, në praktikë, të shkelin detyrimet ndërkombëtare sipas ligjit ndërkombëtar të refugjatëve dhe të drejtave të njeriut. Këto minojnë një përgjigje të përbashkët, njerëzore ndaj personave që kanë nevojë për mbrojtje, i vendosin njerëzit në rrezik të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe rrezikojnë normalizimin e masave joproporcionale emergjente në kufijtë evropianë, duke vendosur një precedent të rrezikshëm për të drejtën e azilit në nivel global.
Në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje përforcon varësinë e BE-së nga shtetet përtej kufijve të saj për të menaxhuar migracionin, duke u mbështetur në marrëveshjet e fundit me Shqipërinë, Libinë, Tunizinë dhe Turqinë. Në vend që të investohet në pritje dinjitoze brenda BE-së dhe të zgjerohen rrugë të sigurta dhe të rregullta për t'i lejuar njerëzit të arrijnë mbrojtjen në Evropë pa u mbështetur në udhëtime të rrezikshme, marrëveshja përbën një hap të mëtejshëm drejt eksternizimit të kontrollit kufitar dhe shmangies së përgjegjësive të Evropës për mbrojtjen e refugjatëve.
Amnesty International ka kohë që u ka bërë thirrje institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare që të vendosin të drejtat e njeriut në qendër të negociatave për reformat e BE-së për azilin. Megjithatë, pas vitesh negociatash komplekse, BE-ja tani rrezikon të jetë në gjumë, në një sistem që ka nevojë edhe më tepër për reforma sesa ai aktuali.
Pakti nuk do të zgjidhë problemet urgjente me të cilat përballen sistemet e azilit në BE, duke përfshirë investimet e pamjaftueshme në sistemet e azilit dhe pritjes, shtyrjet e paligjshme dhe shpesh të dhunshme, politikat që u mohojnë njerëzve të drejtën për azil dhe mosndëshkimin në kufijtë e BE-së. Pa angazhim të ripërtërirë për zbatimin e ligjit të BE-së dhe sigurimin e llogaridhënies për shtyrjet dhe shkeljet e tjera, Pakti nuk do të bëjë asgjë për të përmirësuar mbrojtjen për azilkërkuesit në Evropë - ose për të përmirësuar reagimin e përbashkët të Evropës ndaj migracionit. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje BE-së që të adresojë këto shkelje të mirëdokumentuara dhe të ndërmarrë hapa për të siguruar një përgjigje në përputhje me të drejtat e njeriut, të qëndrueshme dhe me kushte më të mira ndaj njerëzve që mbërrijnë në kufijtë e Evropës”, tha Amnisty International. /ZËRI/