
GAZA - Fëmijët në spitalin al-Aksa nuk mendojnë për të vdekurit e Gazës, që janë tashmë mbi 20 mijë njerëz. Llogaritja e tyre është më personale. Ata numërojnë të afërmit që janë vrarë ose janë zhdukur gjatë luftës së tmerrshme Izrael-Hamas.
13-vjeçarja Rama Zaqout ishte duke fjetur kur një raketë izraelite goditi xhaminë, në të cilën ajo ishte strehuar me familjen e saj. Ajo u zgjua në spital dhe zbuloi se vëllai i saj 2-vjeçar Hisham dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes kishin vdekur. Ajo rendit emrat e të vrarëve me një zë të dobët, për shkak të traumës së madhe që ka përjetuar. Është zëri i një fëmije ende të tronditur nga humbja e gjyshërve të saj, Hashim, Issam dhe Ni'ma, tezes së saj Reem dhe kushërinjve të saj Sireen, Riham dhe Asma. Sireen ishte shtatzënë dhe kishte një vajzë të vogël. Mes të vdekurve ishte edhe ky fëmijë.
Rama Zaqout ka mbijetuar me plagë të rënda në dorën e majtë dhe këmbën e djathtë, por spitali nuk ka ambientet për të trajtuar siç duhet plagët e saj. Nëse ajo nuk evakuohet nga Gaza, mund të mbetet dhe pa duar e këmbë. Vajza e vogël Rama shprehet se vizatimi ka qenë një pasion i saj, porsi të gjithë fëmijët e botës. Por, ajo shton se tashmë që ka luftë, ajo që po kërcënohet është jeta e saj, të afërmve dhe civilëve të tjerë në Gaza.
Çfarë dimë për vdekjet në Gaza?
Siç raporton BBC, autoritetet e Hamasit thonë se më shumë se 20,000 persona janë vrarë tani në Gaza. Shifrat e numrit të vdekjeve zakonisht vijnë nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në territor.
Izraeli dhe SHBA kanë hedhur më parë dyshime mbi numrat që publikon Ministria e Hamasit. Por organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetit të OKB-së (OBSH), kanë thënë se nuk kanë arsye të mos i besojnë. Numri i të vrarëve në Gaza mund të jetë gjithashtu më i lartë, duke pasur parasysh vështirësinë e mbledhjes së saktë të të dhënave në një zonë lufte. Nuk është gjithashtu e qartë, siç thonë rregullisht zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, sesa njerëz janë varrosur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite më pas bombardoi Gazën./ZËRI/