
SHBA - Në tryezën e tij, ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka një ofertë nga Universiteti i Harvardit, për të marrë drejtimin e institucionit, nga i cili u diplomua. Ai deri më tani as e ka pranuar e as nuk e ka refuzuar ofertën, që ka marrë javën e kaluar.
Ky informacion del në dritë në një kohë kur në Uashington janë të përhapura zërat se gruaja e tij, Michelle Obama, do të kandidojë për nominim me demokratët, pasi presidenti aktual 81-vjeçar i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është bombarduar me komente kritike, për shkak të kancerit të avancuar dhe faktit nëse mosha e tij e lejon që të drejtojë Shtëpinë e Bardhë.
Pse Harvardi do Obaman për president?
Universiteti prestigjioz, nga i cili mori diplomën e drejtësisë presidenti i parë afrikano-amerikan i SHBA-së, e konsideron Obamën njeriun ideal për të marrë frenat e institucionit. Pas dorëheqjes së Claudine Gay, pas akuzave për antisemitizëm dhe plagjiaturë, universiteti amerikan është në kërkim të një personi me besueshmëri dhe mbi të gjitha me prestigj. Avantazhi i madh i Barack Obamës është se ai i njeh nga brenda problemet e universitetit amerikan dhe gjithashtu mënyrën sesi funksionon ai. Përveç kësaj, edhe gruaja e tij Michelle është diplomuar në Harvard – fakt që mund ta shtojë ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë që të pranojë ofertën. Në fund të fundit, ishte ajo që e kishte nxitur të kandidonte për presidencën e SHBA-ve. Tani, Barack Obama thuhet se po rrit besimin e Michelle për të provuar politikën, duke kandiduar për nominim me kandidatët e tjerë demokratë.
Sondazhe dhe takime me donatorë
Një sondazh i donatorëve të Partisë Demokratike zbuloi se, në verën e vitit 2022, Michelle Obama, nënë e dy vajzave, u takua me zyrtarë të lartë në Nju Jork dhe u tha atyre: "Do të doja mbështetjen tuaj", duke u kuptuar se po kërkon bashkëpunëtorë në një garë të rëndësishme. Bashkëshorti i saj Barack Obama, i cili u diplomua nga Fakulteti Juridik i Harvardit në vitin 1991, mund të jetë kandidat për presidencën e fondacionit, megjithatë, ai nuk do të ishte ish-presidenti i parë i SHBA-së që do të merrte drejtimin e një universiteti të madh, nëse përfundimisht thotë "po". Alan Garber është presidenti i përkohshëm i Harvardit, por institucioni po shikon për një figurë me prestigj të lartë dhe figure më të mirë se Obama vështirë se do të kishte.
Oferta e Harvardit
Universiteti i Harvardit, i cili ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se i ka bërë një ofertë Barack Obamës, vë në dukje se kërkimi për një udhëheqës të ri për institucionin arsimor "do të përfshijë një angazhim të gjerë dhe konsultim me komunitetin universitar në vazhdim". Përveç tij dhe gruas së tij, në Universitetin e Harvardit ka studiuar edhe vajza e madhe e presidentit, Malia, e cila ka nisur studimet në vjeshtën e 2017-ës. Në të kundërt, vajza më e vogël e Obamës, Sasha theu traditën familjare, duke zgjedhur të studionte Psikologji në Universitetin e Kalifornisë Jugore. Sasha filloi karrierën e saj të kolegjit në Universitetin e Miçiganit, por më vonë u transferua në Universitetin e Kalifornisë Jugore në 2022./ZËRI/