Bota

Axios: Po ndodhin bisedime të drejtpërdrejta SHBA-Iran!

Një zyrtar amerikan tha se ishte ministri i jashtëm iranian ai që u përpoq të hapte kanalin e komunikimit, duke shtuar, megjithatë, se SHBA-të "nuk po flasin" me Iranin.

I.F
Axios: Po ndodhin bisedime të drejtpërdrejta SHBA-Iran!
Donald Trump

WASHINGTON- Një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, është riaktivizuar ditët e fundit, sipas një zyrtari amerikan dhe një burimi me njohuri për çështjen. Ky është komunikimi i parë i njohur i drejtpërdrejtë midis dy palëve që nga fillimi i luftës më shumë se dy javë më parë. Sipas të njëjtave burime, Araghchi i dërgoi mesazhe me tekst Wittkoff-it që përqendroheshin në përfundimin e luftës. Nuk është e qartë se sa mesazhe u shkëmbyen, as përmbajtja e tyre e saktë.

Një zyrtar amerikan tha se ishte ministri i jashtëm iranian ai që u përpoq të hapte kanalin e komunikimit, duke shtuar, megjithatë, se SHBA-të "nuk po flasin" me Iranin. Më parë, Donald Trump tha se Irani ka kontaktuar SHBA-në, por shtoi se nuk ishte e qartë nëse zyrtarët iranianë të përfshirë kishin autoritetin për të negociuar.

"Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Po flasin me njerëzit tanë, kemi njerëz që duan të negociojnë, por nuk kemi idenë se kush janë ata", tha ai.

Pavarësisht dyshimeve të tij nëse Teherani është gati për një marrëveshje, ai tha se nuk është kundër bisedimeve "sepse ndonjëherë prej tyre mund të dalin gjëra të mira".

Një zyrtar i lartë amerikan hodhi poshtë kërkesën e Iranit për "kompensime" si pjesë të një marrëveshjeje paqeje, por vuri në dukje se Trump mbetet i hapur për një marrëveshje që do t'i lejonte Iranit "të ribashkohej me ekonominë globale dhe të fitonte para nga nafta e tij".

Nga ana e tyre, zyrtarët iranianë kanë deklaruar publikisht ditët e fundit se nuk po zhvillohen negociata për armëpushim me administratën Trump.

Ata argumentojnë se Teherani nuk është i interesuar për një armëpushim të përkohshëm që do t’u lejonte SHBA-ve dhe Izraelit të riorganizoheshin, por po kërkon garanci se çdo marrëveshje paqeje do të jetë e përhershme.

Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Araghchi ka autoritet të plotë vendimmarrës. Megjithatë, ata besojnë se ai po koordinohet me Ali Larijani-n, sekretarin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili thuhet se ka marrë një rol politik de facto pas vrasjes së ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei./ZËRI

Poll

MOS HUMB