
MALI I ZI- Ish-kryeprokurori special i Malit të Zi, Millivoje Katniç është arrestuar këtë të dielë me urdhër të Prokurorisë Speciale. Lajmi është bërë me dije nga REL. Po ashtu në pranga ka rënë dhe zyrtari i lartë i policisë malazeze Zoran Llazoviç. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
“Katniç dhe Llazoviç janë privuar nga liria për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të krijimit të organizatës kriminale dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Vukas Radonjiq.
Arrestimet janë kryer në bashkëpunim me agjencinë evropiane të policisë, Europol. Dy të arrestuarit pritet të dërgohen në Prokurorinë Speciale për tu marrë në pyetje.
“Bastisjet e banesave dhe objekteve të tyre në Podgoricë, Cetinë, Budvë dhe Bijello Pole janë duke vazhduar, për të gjetur gjurmë të veprës penale dhe gjëra që mund të jenë të dobishme për procedurën”, tha prokurori Radonjiç.
Zyrtarë të Qeverisë malazeze e mirëpritën lajmin për arrestimin e Katniç-it dhe Llazoviç-it. Kryeministri Millojko Spajiç tha se veprimi i Prokurorisë Speciale dëshmon për “shkallën e infiltrimit të krimit të organizuar në institucionet e sistemit, të krijuar në kohën e ish-pushteteve”./ZËRI