
LONDËR- Qeveria britanike po planifikon t'u paguajë azilkërkuesve deri në 3,000 paund (3,836 dollarë) për t'u zhvendosur në Ruandë. Marrëveshja e re në lidhje me Ruandën është e ndarë nga qeveria për të dhënë një tjetër opsion, veç deportimit me forcë, me të cilin mund të përballeshin tani të gjithë azilkërkuesit në Britaninë e Madhe.
Por, sipas planit të ri, azilkërkuesit do të marrin para nëse vendosin që të jetojnë në Ruandë. Kevin Hollinrake, nënsekretar i Shtetit për Ndërmarrjet, Tregjet dhe Biznesin e Vogël, tha të mërkurën se politika e re ishte një përdorim i mirë i parave publike sepse ishte më e lirë se kostoja e kujdesit për të njëjtit persona që ndodhen në Angli, të cilëve u është refuzuar azili. Ata nuk mund të largohen sepse qeveria nuk lejohet të kthejë pas njerëzit që kërkojnë mbështetje për të mos u kthyer në një vend të shkatërruar nga lufta ose në një vend që ka probleme me të drejtat e njeriut.
"Pra, 3,000 paund, sigurisht që janë shumë para, por megjithatë, kushton më shumë para për t'i mbajtur njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar,"-tha Hollinrake për LBC Radio.
Sipas Reuters, deri më tani, kryeministri Rishi Sunak ka investuar shuma të mëdha kapitali politik në një premtim për të ndaluar ardhjen e azilkërkuesve, por nuk ia ka dalë. E ndaj, ka edhe një plan të ri, që të dërgojë mijëra njerëz në Ruandë, atje ku është ngritur një kamp enkas për ta. Por Gjykata e Lartë vendosi vitin e kaluar se politika ishte e paligjshme pasi do të shkelte ligjet britanike dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Ruanda aktualisht ka kapacitetin për të pranuar disa qindra azilkërkues në vit nga Britania, ndërsa në kundërshtim nga Gjykata e Lartë, Sunak ka ripërsëritur vendimin e tij se fluturimet e para të dëbimit do të nisin muajin e ardhshëm, fill para zgjedhjeve kombëtare. Kështu, kërkon që të përmbushë premtimin e tij për të ndaluar gomonet që zbarkojnë në territorin britanik./ZËRI