
SERBI-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Emanuele Giaufret, u takuan këtë të enjten në jug të Serbisë me ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Millan Mojsilloviç.
Lajmi bëhet me dije nga REL, pas konfirmimit të marrë nga Ambasada e SHBA-së në Beograd. Raportohet se takimi është zhvilluar me ftesë të zyrtarëve ushtarakë të Serbisë, në mënyrë “që Hilli dhe Giaufret të mësojnë më shumë” për situatën pranë kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës
Disa media në Serbi raportuan më herët se diplomati amerikan fillimisht zbarkoi në helikopterin e Ushtrisë Serbe në kazermën “Stefan Nemanja” në Rashkë dhe më e vizitoi kazermën “Rifat Burxheviç Trsho” në Novi Pazar. Të dyja kazermat ndodhen afër kufirit të Serbisë dhe Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se dy diplomatët e huaj “ishin mysafirë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviç, gjatë një vizite të shkurtër në disa njësi të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën e gjerë të Novi Pazarit”.
“Gjatë vizitës ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së patën mundësinë të sigurohen që njësitet e Forcave të Armatosura të Serbisë në atë zonë kryejnë vetëm detyrat e tyre të rregullta”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit janë shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku 30 persona të armatosur hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës dhe lanë të vrarë rreshterin e PK, Afrim Bunjakun. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës rrethuan zonën dhe vranë tre agresorët, të tjerët u strehuan në manastirin e Banjskës. 6 agresorë u arrestuan. Si organizator të sulmit qeveria e Kosovës akuzon Beogradin, konkretisht nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Ky i fundit sipas Policisë u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit. Radoiçiç e ka pranuar që ka qenë në krye të sulmit por duke thënë se qeveria serbe dhe institucionet nuk kishin dijeni për veprimet e tij. Ai u arrestua në Beograd dhe u la i lirë./Zëri.ai