
ITALI- Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në Itali. Raportohet se një autobus ka rënë nga një mbikalim në Mestre dhe ka përfunduar tek shinat e trenit. Ka qenë kontakti me telat elektrikë ajo që ka shkaktuar shpërthimin e menjëhershëm në flakë të autobusit.
Për shkak të aksidentit deri më tani kanë humbur jetën 21 persona, mes të cilëve dyshohet dhe për dy fëmijë. Disa të plagosur janë në gjendje të rëndë. Ekipet e emergjencës ndodhën në vendin e ngjarjes. Rrethanat e aksidentit tragjik nuk dihen ende ndërkohë që Policia ka nisur hetimet.
Mediat itaiane shkruajnë se si pasojë e aksidentit linja hekurudhore mes Mestres dhe Venecias është pezulluar. Spitalet rreth zonës së aksidentit janë vënë në gatishmëri për të pritur të plagosurit.
Në lidhje me aksidentin tragjik ka reaguar dhe kryeministrja Georgia Meloni. Ajo shprehet se është e prekur nga ngjarja dhe se u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave.
Georgia Meloni: Shpreh ngushëllimet e mia më të thella, personale dhe të gjithë qeverisë, për aksidentin e rëndë që ndodhi në Mestre. Ngushëllimet e mija shkojnë për viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Jam në kontakt të ngushtë me kryebashkiakun Luigi Brugnaro dhe me ministri Matteo Piantedosi për të ndjekur lajmet për këtë tragjedi./Zëri