
KOSOVË- Dardan Krivaça, i cili në muajin gusht u dënua me burgim të përjetshëm pasi përdhunoi dhe vrau një vajzë 18-vjeçare të quajtur Marigona Osmani, ka kërcënuar nga burgu motrën e të ndjerës. Babai i dy motrave, Muhabi Osmani tregon se mesazhe të ndryshme në rrjete sociale nga profile në emër të Krivaçës kanë kërcënuar familjen e tij.
“Kërcënime ka pasur ndaj bashkëshortes, me anë të SMS-ve. Ka thënë që: "Edhe këtë vajzën e madhe që e keni do t’ia bëj njësoj”. E kemi raportu në Polici, tani janë duke u marrë ata me këtë rast. Rasti ka ndodhur para një viti. Nuk kemi të dhëna, jemi duke pritur, prokurori e ka marrë rastin, ende s’na ka kthyer përgjigje që kur ka ardhur ai mesazh dhe nga ka ardhur. Ai ka qenë në burg, SMS-i ka ardhë nga profili i tij në rrjete sociale në telefonin e bashkëshortes. Kur kemi shkuar në polici, ai i hetuesisë ka pyetur prokurorin që të na e bënte intervistën apo jo, paramendoje ti, tani prokurori tha merrini në pyetje. Duke e ditur rastin tonë”- u shpreh babi i të ndjerës.
Dardan Krivaça dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e dhunuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë vrarë Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit. Krivaça dhe Sejdiu janë akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje. Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaçën në kryerjen e veprës penale të dhunimit./Zëri.ai/