
HOLANDË- Një 72-vjeçar ka ndërruar jetë pasi ishte infektuar nga koronavirusi për 613 ditë. I moshuari, i cili nuk është identifikuar me emër, është personi me kohën me të gjatë të infeksionit. Siç raporton "Science Alert", virusi kishte qenë në trupin e tij për kaq shumë kohë saqë i dëmtoi sistemin imunitar.
Burri ishte vaksinuar kundër koronavirusit disa herë, por sistemi i tij imunitar kishte dështuar të mbrohej nga virusi, gjë që ndodh shpesh tek të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobët. Njerëzit me sistem imunitar të dobësuar janë në rrezik shumë më të madh për t'u sëmurur rëndë nga COVID-19, deri në 13 herë më shumë gjasa për t'u shtruar në spital.
72-vjeçari më parë i ishte nënshtruar një transplanti të qelizave staminale dhe më vonë kishte zhvilluar limfomë, që i shkatërroi qelizat e bardha përgjegjëse për prodhimin e antitrupave kundër virusit. Rasti i të moshuarit do të prezantohet në Kongresin Botëror të Shoqatës Evropiane për Mikrobiologjinë Klinike dhe Sëmundjet Infektive 2024 në prill. Kjo pasi organizmi i tij kishte zhvilluar më shumë se 50 mutacione të koronavirusit./ZËRI