SHBA-Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë Kaliforninë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej ditës së djeshme (8 janar). Një vatër e re zjarri ka përfshirë në kodrat e Hollivudit pranë Kanionit Runyon.
Pjesa më e madhe e zemrës së Hollivudit është e mbuluar me tym të dendur, ndërsa rrugët janë pushtuar nga kaosi. Njerëzit përdorin xhup për të mbuluar fytyrat e tyre në mënyrë që të marrin frymë. Shumë po mbajnë çanta dhe valixhe në kërkim të një vendi për të shkuar. Disa janë të veshur me pizhame, dukshëm të befasuar.
Shtëpitë e shumë yjeve janë shkatërruar, duke përfshirë Billy Crystal, Paris Hilton, Mandy Moore, Eugene Levy, Anna Faris, Cary Elwes, Spencer Pratt dhe Heidi Montag, James Woods, Diane Warren , Cameron Mathison, Ricki Lake, Leighton Meester dhe Adam Brody. Çifti i aktorëve Leighton Meester dhe Adam Brody po festonin në Golden Globes pak ditë më parë, ku ky i fundit u nominua për filmin në Netflix, “Askush nuk e dëshiron këtë”, sipas BBC.
Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit e ka cilësuar situatën si një “kërcënim të menjëhershëm për jetën” dhe ka kufizuar hyrjen në disa zona. Në Los Anxhelos është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për të përballuar zjarret. Aktualisht ka të paktën shtatë vatra në Los Angeles dhe disa nga qarqet fqinje.
Sipas Los Angeles Times, deri më tani janë shkatërruar të paktën 1,100 biznese, shtëpi dhe struktura të tjera. Numri i viktimave nga zjarret ka arritur në pesë, të gjitha në zonën e Altadenës, ku shpërtheu zjarri Eaton. Situata është kritike, me rreth 150,000 njerëz të evakuuar nga shtëpitë e tyre në të gjithë shtetin. Asnjë nga këto zjarre nuk është vënë ende nën kontroll, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni./ZËRI