KOSOVË-Në gjyqin për vrasjen makabre të Liridona Ademaj në Kosovë, ka vijuar dëshminë njëri prej të akuzuarve, Kushtrim Kokalla. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. Kokalla ka deklaruar se për vrasjen e Liridona Ademajt ka mësuar fillimisht nga portalet dhe jo nga përfshirja direkte në ngjarje.
Kokalla tha se në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpinë e tij me të afërmit, kur shoku i tij Flori e informoi për incidentin. Ai shtoi se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje, pasi lajmet e para raportuan për këtë. Tha se kishte tentuar të kontaktonte Naim Murselin, por telefoni i këtij të fundit ishte i paqasshëm, dhe vetëm pas 20-30 minutash kuptoi se ishte vrasje, raprton RTV21.
Ai deklaroi gjithashtu se kishte shkuar në Prishtinë bashkë me familjen e tij për të qëndruar pranë familjes Ademaj, duke theksuar se nuk kishte pasur rol në ngjarje. Për qëndrimin në hotel, Kokalla tha se dhomën e kishte paguar një mik, Valon Lluka, pasi ai nuk kishte mundësi të përballonte koston e një dhome luksoze.
Sipas hetimit, Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro.
Deri në Shtator 2025, Valon Lluka ka qenë administratori i Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA Sh.p.k.”.
Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjere, mes të cilëve ekzekutorin Granit Pllava. Motivet për vrasjen e saj nuk janë ende të qarta./ZËRI