Bota

USAID mbyllet zyrtarisht! DASH kalon disa nga funksionet e agjencisë nën departament

Kjo deklaratë njofton edhe fundin e një agjencie, miliarda dollarëshe që ka dhënë shërbimin e saj në mbarë botën, ku ka luftuar urinë dhe varfërinë.

I.F
USAID mbyllet zyrtarisht! DASH kalon disa nga funksionet e agjencisë
Punonjësi duke hequr tabelën e USAID

SHBA- Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate zyrtare ka njoftuar se Kongresi po mbyll në mënyrë efektive Agjencinë e SHBA për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID dhe disa nga funksionet e saj do të transferohen nën departament.

Pritet që e gjithë procedura të përfundojë deri më 1 korrik. Kjo deklaratë njofton edhe fundin e një agjencie, miliarda dollarëshe që ka dhënë shërbimin e saj në mbarë botën, ku ka luftuar urinë dhe varfërinë.

Përmes një deklarate Marco Rubio lajmëroi mbylljen, duke shtuar se përfitimet e USAID kanë qenë shumë të vogla dhe shpenzimet kanë qenë shumë të larta.

“Falë presidentit Trump, kjo epokë e papërgjegjshmërisë fiskale ka përfunduar. Ne jemi duke riorientuar programet tona për ndihmë të huaj për të qenë në linjë me atë që është më e mira për Shtetet e Bashkuara dhe shtetasit tanë”, shprehet Rubio.

Çfarë ndodhi me USAID?

Ngrirja e fondeve të USAID u urdhërua nga presidenti amerikan Donald Trump më 20 janar, ditën e tij të parë në detyrë. Fillimisht, Trump vendosi një ngrirje 90-ditore të të gjithë ndihmave që jep Amerika për vendet e tjera. Presidenti republikan caktoi 90 ditë kohë që instancat të kontrollonin se ku dhe për çfarë jepen fondet; nëse ishin në koherencë me parimet dhe vlerat amerikane, fondet do të vazhdojnë të lëvrohen. Edhe në Shqipëri erdhi një listë me të gjitha institucionet që do t'u ndërpritej përkohësisht burimi i të ardhuravre nga Amerika. Pas kontrollit, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se administrata Trump vendosi mbylljen e 83% të programeve të ofruara nga USAID. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social "X", Rubio sqaroi se arsyeja është keqpërdorimi i miliarda dollarëve që nuk përputheshin me interesat amerikane./ZËRI

Poll

MOS HUMB