Bota

Marrëveshja me Shqipërinë dhe Kosovën/ Presidenti kroat për Vuçiç: Miza po kthehet në elefant!

Duke iu referuar polemikave nga Serbia, Milanoviç tha se “nga miza po bëhet një elefant i madh”, por vendet nuk kanë lidhur asnjë aleancë ushtarake.

I.F
Marrëveshja me Shqipërinë dhe Kosovën/ Presidenti kroat
Zoran Milanoviç dhe Jakov Milatoviç

PODGORICË- Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç në një takim me studentët në Malin e Zi diskutoi edhe marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë dhe Kosovën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Milanoviç u shpreh se kjo marrëveshje nuk nuk është shpallje e ndonjë aleance ushtarake.

Duke iu referuar polemikave nga Serbia, Milanoviç tha se “nga miza po bëhet një elefant i madh”, por vendet nuk kanë lidhur asnjë aleancë ushtarake.

“Ky dokument nuk ka absolutisht asnjë peshë në kuptimin juridik. Është thjesht një gjest i vullnetit të mirë, një gjest, i cili është legjitim në politikë. Kosova, për fat të keq, nuk njihet nga disa shtete anëtare të NATO-s, ndërkohë që Shqipëria është pjesë e aleancës veriatlantike. Mali i Zi është gjithashtu në këtë aleancë. Deklarata ka shkaktuar shumë konfuzion por ajo nuk është një traktat ndërkombëtar në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe as sipas ligjit kroat për traktatet ndërkombëtare. Serbisë nuk i ka pëlqyer madje presidenti Aleksandër Vuçiç e ka përdorur si justifikim për disa lëvizje politike të brendshme”, është shprehur Milanoviç.

Presidenti kroat Zoran Milanoviç tha se Mali i Zi duhet që të bëhet sa më shpejt anëtar i Bashkimit Evropian, pavarësisht çështjen se anijes “Jadran”. Nga ana e tij presidenti malazez Jakov Milatoviç vuri në dukje se synimi kryesor i politikës së jashtme të Malit të Zi është anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2028.

Marrëveshja mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës synon të rrisë ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

Serbia e pa këtë si hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, ndërsa Kosova tha se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi./ZËRI

Poll

MOS HUMB