ROMË- Kryetari i një qyteti të vogël në Italinë jugore ka lëshuar një deklaratë të pazakontë: Të sëmuresh është e ndaluar!
Banorët e Belcastros në rajonin jugor të Kalabrisë janë "urdhëruar" të shmangin çdo sëmundje që kërkon ndihmë mjekësore. Këtë dekret e ka lëshuar kryebashkiaku Antonio Torchia. Ky i fundit i tha mediave lokale se në fakt dekreti i tij nuk është ironik, përkundrazi vë në pah mungesën e kujdesit shëndetësor në qytet.
Belcastro, një qytet me rreth 1,300 njerëz nga të cilët gjysma janë të moshuar, ka një qendër shëndetësore që shpesh mbyllet dhe mjekët në gatishmëri nuk janë të disponueshëm gjatë fundjavave, festave ose pas orëve zyrtare të punës. Në këto kushte, kur urgjenca më e afërt është 45 kilometra larg, kryebashkiaku ka marrë masa.
Kryebashkiaku tha se urdhri kishte për qëllim provokimin e autoriteteve rajonale dhe zyrtarëve të shëndetit për të adresuar problemet e qytetit. Po ashtu, ai shtoi se urdhëresa do të qëndrojë në fuqi derisa qendra e shëndetit publik të qytetit të jetë e hapur rregullisht.
"Ky nuk është një provokim, urdhëresa është një thirrje për ndihmë, një mënyrë për të marrë vëmendjen për situatën në të cilën ne ndodhemi,"- tha Torchia për gazetën lokale 'Corriere della Calabria'.
Në dekretin e tij, kryetari i bashkisë u kërkoi qyetarëve që të mos përfshihen në sjellje që mund të jenë të dëmshme dhe të shmangin aksidentet.
CNN ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, por ende nuk ka përgjigje.
Mbi 75% e qyteteve të Kalabrisë kishin më pak se 5,000 banorë në 2021, duke shkaktuar frikën se disa komunitete mund të shuhen plotësisht. Disa qytete madje kanë filluar të ofrojnë pagesa që njerëzit të shkojnë dhe të jetojnë në ato zona, si një mënyrë për të rikthyer njerëzit./ZËRI