SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të qartë dhe veçanërisht të ashpër ndaj Iranit , duke deklaruar se çdo veprim që do të ndërpriste rrjedhën e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit do të shkaktonte sulme amerikane “20 herë më të forta” se ato që janë kryer deri më sot. Parlajmërimi i Trump vjen në një kohë kur çmimet e gazit në vend rriten për shkak të luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Në një postim, Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të reagonin menjëherë nëse Teherani do të përpiqej të bllokonte kalimin e ngarkesave të naftës përmes rrugës detare strategjikisht të rëndësishme.
“Nëse Irani bën diçka që ndalon rrjedhën e naftës brenda Ngushticës së Hormuzit, ata do të goditen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës NJËZET HERË MË FORTË sesa janë goditur deri më tani”, shkroi presidenti në platformën e tij Truth Social.
“Përveç kësaj, ne do të shkatërrojmë objektiva që mund të shkatërrohen lehtësisht, të cilat do ta bëjnë praktikisht të pamundur që Irani të rindërtohet ndonjëherë si komb – Vdekja, Zjarri dhe Tërbimi do të mbretërojnë mbi ta – Por shpresoj dhe lutem që kjo të mos ndodhë!”
Trump shtoi se kërkesa e tij është një “dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kinën dhe të gjitha ato vende që e përdorin shumë” kalimin.
Ngushtica e Hormuzit, e cila ndodhet midis Omanit dhe Iranit dhe lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, është një nga pikat më të rëndësishme të kalimit në botë. Në vitin 2024, ekuivalenti i afërsisht 20 përqind të konsumit global të naftës kaloi nëpër këtë kalim, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë .
Por mes sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit, Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane e kanë mbyllur ngushticën dhe kanë kërcënuar anijet që përpiqen të kalojnë nëpër të. Në 24 orët e fundit, vetëm dy anije kanë kaluar , një rënie e konsiderueshme nga 60 anije tipike në ditë, sipas hormuzstraitmonitor.com .
Kjo ka rezultuar në rritjen e çmimeve të energjisë në të gjithë globin, përfshirë SHBA-në, më pak se tetë muaj para zgjedhjeve të mesit të mandatit, dhe me një elektorat të shqetësuar për koston e jetesës.