FRANCË-Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, kishte njoftuar disa javë më parë se do të zhvillohen testime të papritura dhe të paparalajmëruara për droga në ministri, një vendim që shkaktoi debat të madh. Tani njoftohet për pushimet e para nga puna.
Sipas agjencisë së lajmeve DPA disa punonjës ministrish janë detyruar të largohen nga detyra pasi rezultatet e testeve të tyre dolën pozitive. Lecornu e konfirmoi këtë në një intervistë për revistën "Paris Match”. "Shumë thonë se e bëra këtë për të dhënë një shembull në Francë. Kjo është e vërtetë. Por mbi të gjitha e bëra për arsye sigurie”, deklaroi Lecornu.
Ai theksoi se shumë prej punonjësve të testuar kanë qasje në informacione jashtëzakonisht të ndjeshme, ndaj përdorimi i drogës përbën rrezik për sigurinë dhe funksionimin e shtetit.
Në mes të muajit qershor Lecornu u kishte dërguar ministrive një qarkore ku urdhëronte teste të detyrueshme dhe të paparalajmëruara të pështymës për zbulimin e përdorimit të drogave. Sipas mediave franceze ai kërkoi që të kontrollohen anëtarët e ministrive, zyrtarët e lartë shtetërorë dhe personeli që u nënshtrohet verifikimeve të sigurisë.
Në qarkore thuhej se, në rast se rezultatet e testeve dalin pozitive, autoritetet përkatëse duhet të shqyrtojnë pasojat e mundshme, përfshirë edhe masa disiplinore ndaj punonjësve.
Shteti duhet të mbetet i besueshëm në luftën kundër drogës
Përveç mbrojtjes së informacioneve të ndjeshme në nivelet më të larta të administratës shtetërore, një arsye tjetër për testet e drogës në qeveri është dëshira që shteti të ruajë besueshmërinë në luftën e tij kundër kriminalitetit të lidhur me drogën.
Siç deklaroi Sébastien Lecornu për revistën "Paris Match” trafiku i drogës përbën "sfidën më të madhe të politikës së brendshme me të cilën vendi ynë po përballet aktualisht dhe do të përballet edhe në vitet e ardhshme”. Ai tha se në Francë ka pothuajse një milion konsumues droge.
"Kjo prek të gjitha shtresat e shoqërisë”, tha Lecornu. Sipas tij, as bota politike nuk është e imunizuar ndaj këtij fenomeni.
Kryeministri francez theksoi se lufta e shtetit kundër drogës mund të mbetet e besueshme vetëm nëse ata që e udhëheqin atë nuk lënë vetë shkak për dyshim. Sipas tij në trajtimin e problemit nuk mund të ketë standarde të dyfishta .
"Nuk mund të dënojmë vrasjet e 16-vjeçarëve në periferitë e qyteteve dhe në të njëjtën kohë të tolerojmë konsumimin e drogës në lagjet e pasura.”
Me këtë qëndrim qeveria franceze synon të japë sinjalin se lufta kundër drogës duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pavarësisht statusit shoqëror apo pozicionit politik.
Kontrollet do të vazhdojnë
Sipas kryeministrit francez Sébastien Lecornu, testet e drogës në qeveri dhe ministri nuk janë një masë e përkohshme apo simbolike. "Testet do të kryhen në mënyrë rastësore dhe do të vazhdojnë. Nuk kam asnjë dyshim se pasardhësit e mi mund të shkojnë madje edhe më tej”, tha ai.
Kjo do të thotë se kontrollet e paparalajmëruara do të vazhdojnë të mbeten pjesë e mekanizmave të sigurisë në administratën shtetërore franceze me qëllim parandalimin e përdorimit të drogës nga zyrtarët dhe punonjësit që kanë përgjegjësi të rëndësishme.
Ndërkohë ekipet e testimit të drogës shkuan pa paralajmërim edhe në Hôtel de Matignon, selinë e qeverisë franceze. Sipas televizionit TF1, rezultatet e testeve ishin lehtësuese për ekzekutivin francez: kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij rezultuan negativë, pra nuk kishin përdorur drogë.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve më të gjera të qeverisë franceze për të forcuar luftën kundër drogës dhe për të garantuar që zyrtarët publikë të përmbushin standardet që shteti kërkon nga qytetarët e tij./DW