ZVICËR- Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar një përgjigje të fortë ndaj SHBA-ve, nëse do të zbatohen tarifat prej 10% të deklaruara nga Trump, për 8 prej vendeve Europiane. Deklaratat e presidentes së KE, u bënë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku është i pranishëm dhe vetë presidenti amerikan.
“Nëse Donald Trump vazhdon me tarifat prej 10% për tetë vende evropiane për të detyruar tërheqjen e Groenlandës, Bashkimi Evropian do të përgjigjet me një përgjigje të vendosur, të bashkuar dhe proporcionale”, tha ajo, duke shtuar se “Siguria në Arktik mund të arrihet vetëm së bashku. Kjo është arsyeja pse tarifat shtesë të propozuara janë të gabuara, veçanërisht midis aleatëve të hershëm”.
Referuar Groenlandës, ajo deklaroi se Komisioni Evropian po punon për një paketë për të mbështetur sigurinë e Arktikut dhe shtoi se vendosja e tarifave shtesë që Trump po kërcënon është një gabim.
“Ne e konsiderojmë popullin amerikan jo vetëm aleatin tonë, por edhe mikun tonë. Të tërhiqemi në një spirale në rënie do t’u sillte dobi vetëm kundërshtarëve që të dy jemi të vendosur t’i mbajmë larg”, tha Presidentja e Komisionit, duke u zotuar të punojë me SHBA-në për të “përmirësuar sigurinë në Arktik”.
“Kjo është qartësisht në interesin tonë të përbashkët”, tha ajo duke iu referuar planeve të mëdha evropiane të investimeve që po përgatiten për Groenlandën. Ajo vlerësoi gjithashtu se tronditjet e fundit gjeopolitike do ta shtyjnë Bashkimin Evropian drejt ndërtimit të një Evrope të re të pavarur.
“Ne do të jemi në gjendje ta shfrytëzojmë këtë mundësi nëse e pranojmë se ky ndryshim është i përhershëm”, theksoi ajo.
Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar se do ta zbatojë “100%” kërcënimin e tij për të vendosur tarifa doganore ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë kërkesën e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës.
Udhëheqësit evropianë nuk do të “ofrojnë shumë rezistencë” ndaj përpjekjes së tij për të blerë Groenlandën, tha presidenti amerikan në një deklaratë për gazetarët në Florida. Ai kërcënoi gjithashtu me një tarifë doganore prej 200% mbi verërat dhe shampanjën franceze, në përgjigje të deklaratës së Macron se Franca nuk do t’i bashkohej këshillit të paqes në Gaza.
"Epo, askush nuk e do atë sepse ai do të largohet nga detyra shumë shpejt, kështu që, e dini, kjo është në rregull. Do të vendos një tarifë doganore prej 200% për verërat dhe shampanjën e tij, dhe ai do të bashkohet. Por nuk është i detyruar", paralajmëroi presidenti amerikan.
Të hënën, Trump nuk pranoi të përjashtonte përdorimin e forcës dhe këmbënguli se do të vazhdonte me tarifat doganore për mallrat që mbërrijnë në SHBA nga Mbretëria e Bashkuar dhe shtatë vende të tjera aleate të NATO-s.
Trump ka thënë gjithashtu se do t’i ngarkojë Britanisë një tarifë doganore prej 10% “për çdo mall” të dërguar në SHBA nga 1 shkurti, duke u rritur në 25% nga 1 qershori, derisa të arrihet një marrëveshje që Uashingtoni të blejë Groenlandën nga Danimarka.
Ai tha se e njëjta gjë do të vlente edhe për Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën - të cilat janë të gjitha anëtare të aleancës mbrojtëse NATO, e cila u themelua në vitin 1949./ZËRI