MADRID- Qeveria e Pedro Sanchez pësoi një tjetër goditje në Parlament pasi deputetët rrëzuan dy dekretet e propozuara për përballimin e krizës së banesave. Të dyja nismat dështuan me diferencë të ngushtë votash duke shtuar presionin politik ndaj kryeministrit spanjoll.
Dekreti i parë u rrëzua me 178 vota kundër dhe 172 pro ndërsa i dyti mori 184 vota kundër dhe 166 pro. Paketat përfshinin masa për mbrojtjen e qiramarrësve dhe personave vulnerabël kufizimin e disa formave të spekulimit në tregun e banesave dhe ndryshime në rregullat e kontratave të qirasë.
Sipas agjencisë së lajmeve 'Reuters' pas humbjes në Parlament është rikthyer në diskutim mundësia e zgjedhjeve të parakohshme. Data 29 nëntor është përmendur si një nga skenarët e mundshëm megjithëse qeveria nuk ka konfirmuar një vendim për shpërndarjen e Parlamentit.
Ndërkohë kriza e strehimit ka nxitur protesta në Madrid. Mijëra persona janë mbledhur në Puerta del Sol, ndërsa organizatat e qiramarrësve kanë paralajmëruar manifestime të tjera në Madrid dhe qytete të tjera të vendit.
Gjatë debatit parlamentar Sanchez mbrojti paketën e masave dhe u bëri thirrje deputetëve të merrnin parasysh vështirësitë e familjeve përballë rritjes së kostove të banesave. Opozita ndërkohë kundërshtoi qasjen e qeverisë dhe argumentoi se zgjidhja e krizës kërkon rritjen e ofertës së banesave./ZËRI