Bota

Tensione, sharje dhe paralajmërime- Si 24 orë sollën armëpushimin mes Iranit dhe Izraelit

Për 24-orë ngjarjet u përshkallëzuan edhe më shumë: një bazë ajrore amerikane u sulmua në Katar.

k.m.
Tensione, sharje dhe paralajmërime- Si 24 orë sollën
Foto ilustruese

SHBA- Që nga 13 qershori, Izraeli ka shkaktuar dëme të gjera në infrastrukturën ushtarake të Iranit, ndërsa raketat iraniane kanë depërtuar në sistemet mbrojtëse izraelite. Nga ana tjetër edhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme ndaj programit bërthamor të Teheranit. Pastaj, për 24-orë ngjarjet u përshkallëzuan edhe më shumë: një bazë ajrore amerikane u sulmua në Katar. Kështu, Shtëpia e Bardhë ndërmjetësoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit dhe ajo marrëveshje ishte gati të dështonte.

07:00 Uashington DC / 14:00 Tel Aviv / 14:30 Teheran

Shenjat e para se konflikti që përfshiu Lindjen e Mesme do të përhapej në Gjirin Persik ishin një paralajmërim i formuluar në mënyrë qetësuese për qytetarët amerikanë në Katar.

"Qëndroni aty ku jeni,"- ishte rekomandimi i qeverisë amerikane - me siguri shtesë se kjo ishte vetëm "për hir të sigurisë".

Gjithmonë ka qenë e mundur që Irani të kundërpërgjigjej ndaj Amerikës në Katar. Vendi është shtëpia e bazës ushtarake Al-Udeid, një strukturë e gjerë jo shumë larg kryeqytetit Doha që strehon mijëra trupa dhe orkestron operacionet ajrore amerikane në Lindjen e Mesme. Udhëheqësit në Teheran kanë kërcënuar me hakmarrje për sulmet e pashembullta të SHBA-së gjatë fundjavës në tre objekte bërthamore në Iran, midis tyre edhe vendi i çmuar i pasurimit të karburantit bërthamor në Fordow, i varrosur thellë në një mal.

'Kërcënim i besueshëm'

12:00 Uashington DC / 19:00 Tel Aviv / 19:30 Teheran

Hapësira ajrore mbi Katarin është e mbyllur/ Kështu njoftoi qeveria e vendit. Kontrollorët e trafikut ajror në Doha filluan me nxitim të largonin aeroplanët e pasagjerëve dhe fluturimet që shkonin drejt njërit prej aeroporteve më të ngarkuara në botë, filluan të uleshin diku tjetër në Gjirin Persik. Zyrtarë amerikanë të paidentifikuar informuan median amerikane se lëshuesit e raketave ishin parë të drejtuar në drejtim të Katarit. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegsett dhe gjenerali i tij i lartë u nisën për në Shtëpinë e Bardhë për të monitoruar situatën.

Brenda një ore, shpërthime dëgjuan mbi Doha dhe qielli mbi rrokaqiejt e saj luksoz u mbush me gjurmët e lëna nga raketat anti-ajrore, ndërsa ato qëllonin raketat iraniane në ajër.

'Jo forcë, por dobësi'

13:00 Uashington DC / 20:00 Tel Aviv / 20:30 Teheran

Mediat shtetërore iraniane filluan të raportonin se hakmarrja e tyre ishte duke u zhvilluar. Menjëherë pas kësaj, lajmi u konfirmua edhe nga Garda Revolucionare Iraniane.

"Bazat amerikane në rajon nuk përfaqësojnë forcë, por dobësi,"- tha Garda- por sulmi u anulua menjëherë pas këtij njoftimi.

Katari reagoi përpara Amerikës. Edhe pse objektivi ishte një bazë amerikane në tokën e saj, sovraniteti i saj u shkel. Ndaj sulmin e quajti "agresion të paturpshëm".

Por, më e rëndësishmja, konfirmoi se raketat ishin kapur nga mbrojtja e tyre. Baza u evakuua para se të fillonte sulmi dhe askush nuk u vra ose u plagos. Rreth të njëjtës kohë, një ilustrim nxitës u shfaq në llogarinë e Udhëheqësit Suprem në X, duke përshkruar raketa që binin mbi një bazë amerikane, ndërsa një flamur amerikan i grisur digjej.

Megjithatë, në vend që të njoftonte shkatërrimin e bazës, ai shkroi: Ne nuk lënduam askënd.

Filloi të dukej sikur SHBA-të dhe Katari e dinin paraprakisht sulmin e planifikuar iranian. Për analistët e jashtëm, dukej sikur ishte hartuar plani për t'u lejuar udhëheqësve të Iranit të shpëtonin fytyrën, duke shmangur njëkohësisht përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Deeskalimi ishte në horizont - dhe bota po priste që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hynte në rrjetet sociale.

'Është koha për paqe'

16:00 Uashington DC / / 23:00 Tel Aviv / 23:30 Teheran

"I dobët."

"E pritshme."

"Lehtësisht të shkatërrueshme"

Kështu e përshkroi Donald Trump sulmin iranian - por ndërsa mesazhi i tij vazhdonte, toni i tij u bë më pajtues. Presidenti falënderoi Iranin që u kishte dhënë një paralajmërim për sulmet.

Ai shtoi: Ndoshta Irani tani mund t'i afrohet Paqes dhe Harmonisë në Rajon, dhe unë me kënaqësi do ta inkurajoj Izraelin të bëjë të njëjtën gjë.

Dy orë më parë, Irani kishte sulmuar një bazë ajrore amerikane. Dy ditë më parë, Trump kishte urdhëruar sulme të paprecedentë ndaj Iranit, një vend që ai në të kaluarën e kishte shpallur të keq dhe një rrezik vdekjeprurës për botën.

'Lufta 12 Ditore'

18:00 Uashington DC / 01:00 Tel Aviv / 01:30 Teheran

Ndërkohë, është zbuluar se negociata frenetike që përfshinë SHBA-në, Iranin, Izraelin dhe Katarin kanë ndodhur prapa skenave.Donald Trump foli drejtpërdrejt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, një aleat i ngushtë në luftën e të cilit kundër Iranit ai u bashkua. Biseda u zhvillua privatisht, por mesazhi ishte i qartë: kishte ardhur koha që luftimet të përfundonin. Ndërkohë, zëvendësi i Trump, JD Vance dhe kryenegociatori i tij ndërkombëtar, Steve Witkoff, iu drejtuan iranianëve drejtpërdrejt dhe përmes kanaleve diplomatike. Nga Uashingtoni, ekipi i Trump po përpiqej të përshpejtonte diçka që presidenti amerikan e vlerëson, por që ka rezultuar kaq e pakapshme në Lindjen e Mesme: një marrëveshje.

Dhe pastaj, pak pas orës 11:00, presidenti përdori përsëri mediat sociale.

Mesazhi i tij fillonte me: URIME TË GJITHËVE! Një armëpushim i plotë dhe gjithëpërfshirës është rënë dakord midis Iranit dhe Izraelit. 

Dhjetë mijë kilometra larg në Lindjen e Mesme, agoi një ditë e re.

'Raundi i fundit i raketave'

22:00 Uashington DC / 05:00 Tel Aviv / 05:30 Teheran

Sirenat e sulmeve ajrore filluan të binin në të gjithë Izraelin dhe njerëzit u urdhëruan të zhvendoseshin në strehimore. Brenda një periudhe prej 60 minutash, Izraeli pretendon se Irani kishte qëlluar tre valë raketash.

Në Bershevë, një ndërtesë banimi shumëkatëshe u godit drejtpërdrejt. 4 persona u vranë. Kryeministri i Izraelit ka akuzuar Iranin se ka qëlluar një nga raketat më të mëdha në arsenalin e tij drejt vendeve të tyre. Edhe Irani e ka akuzuar Izraelin për lëshimin e një "raundi të fundit raketash" për të shkelur afatin e armëpushimit.

Një gjë ishte e qartë, luftimet vazhduan deri në momentin e fundit.

'Një armëpushim është në fuqi'

01:00 Uashington DC / 08:00 Tel Aviv / 08:30 Teheran

Trump njoftoi fillimin e armëpushimit në një postim në rrjetet sociale. Menjëherë pas kësaj, qeveria izraelite pranoi zyrtarisht kushtet e armëpushimit. Në deklaratën e saj thuhej se Izraeli kishte arritur të gjitha qëllimet e tij të luftës duke eliminuar aftësitë bërthamore dhe balistike të Iranit. Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Aragchi, tregoi gjatë natës se Teherani është i hapur ndaj propozimit të armëpushimit të paraqitur nga Trump. Ai tha se nëse Izraeli i ndal sulmet para orës 04:00, sipas orës lokale, as ata nuk do të sulmonin.

Por nuk kaloi shumë kohë nga konflikti i radhës. Izraeli pretendoi se Irani kishte sulmuar sërish. Irani mohoi pretendimet dhe nuk mori përgjegjësi.  Marrëveshja e bërë me nxitim nga Trump dukej se ishte në prag të kolapsit vetëm disa orë pasi hyri në fuqi.

Ndërsa avionët luftarakë izraelitë ishin rrugës drejt kryeqytetit iranian, Trump njoftoi përsëri: MOS I HIDHNI ATO BOMBA. NËSE I BËNI, DO TË JETË NJË SHKELJE E MADHE E ARPMUSHIMIT. DËRGONI PILOTËT NË SHTËPI, TANI!

'Këta djem duhet të qetësohen'

07:00 Uashington DC / 14:00 Tel Aviv / 14:30 Teheran

Sapo agoi në Uashington, presidenti amerikan doli në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, ku një helikopter po e priste për ta çuar në samitin e NATO-s. Edhe gazetarët pritën, të etur për të dëgjuar se çfarë kishte për të thënë pas një nate marramendëse njoftimesh, pretendimesh dhe mohimesh. Trump u tha atyre se si Izraeli ashtu edhe Irani e kishin shkelur armëpushimin - por ai këmbënguli se marrëveshja ishte ende në fuqi.

Duke folur për avionët luftarakë izraelitë, ai tha: Pati një raketë iraniane që mendoj se u qëllua pas afatit dhe tani Izraeli ka shkuar atje. Këta djem duhet të qetësohen.

Presidenti dukej i zemëruar.

Ai tha se nuk ishte i kënaqur me Izraelin për nisjen e sulmeve kur palët kishin arritur një marrëveshje.

"Nuk jam i kënaqur as me Iranin", shtoi ai. Ndërsa Trump u kthye për të ikur, ai shprehu pakënaqësinë e tij ndaj Izraelit dhe Iranit duke përdorur fjalë të ashpra.

Një helikopter e transferoi atë në një bazë ushtarake në Maryland, ku do të hipte në aeroplanin presidencial dhe do të fluturonte për në Holandë për samitin e NATO-s. Sapo u ngrit në ajër, ai telefonoi Netanyahun dhe duket se biseda ishte e tensionuar.

Një burim nga Shtëpia e Bardhë i tha CBS News, partnerit amerikan të BBC-së, se presidenti ishte "jashtëzakonisht i vendosur dhe i drejtpërdrejtë" me kryeministrin izraelit. Nga ana tjetër, Netanyahu e kuptoi seriozitetin e situatës dhe shqetësimin e Presidentit Trump. Trump thuhet se u konfirmoi gazetarëve në aeroplan se i kishte thënë Netanyahut të kthente mbrapsht avionin ushtarak./ZËRI

Poll

MOS HUMB