Bota

Shtohet ankthi për Papa Françeskun, kaloi kriza respiratore, mjekët i bënë transfuzion gjaku

Papa kishte një krizë të zgjatur respiratore të tipit astmatik, e cila detyroi mjekët që të aplikonin oksigjen me fluks të lartë.

k.m.
Shtohet ankthi për Papa Françeskun, kaloi kriza respiratore,
Papa Françesku

ROMË- Italia dhe gjithë bota në ankth për shëndetin e Papa Françeskut. Në buletinin e mbrëmjes të spitalit "Gemelli" në Romë, mjekët njoftuan se mëngjesin e sotëm Papa kishte një krizë të zgjatur respiratore të tipit astmatik, e cila detyroi mjekët që të aplikonin oksigjen me fluks të lartë.

Analizat e gjakut zbuluan gjithashtu 'trombocitopeni", të shoqëruar me anemi, e cila kërkonte transfuzion gjaku. Mjekët raportuan për mediat se Papa është në gjendje kritike dhe nuk është jashtë rrezikut për jetën. Por për një prognozë më të plotë janë treguar të rezervuar. 

Lajmi i mirë është se edhe pse në gjendje të rëndë Papa vazhdon të jetë vigjilent dhe e ka kaluar ditën në një kolltuk, edhe pse ka pasur më shumë dhimbje sesa ditën e djeshme. Për nesër, të dielën, zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë njofton se, si të dielën e kaluar , teksti i fjalëve të Papës do të publikohet për mesditën e Ëngjëllit. Po ashtu, lajmëruan se Papa Françesku nuk do të shfaqet me video nga dhoma e tij e spitalit.

Papa Françesku u shtrua në spitalin “Gemelli” më 14 shkurt për shkak të përkeqësimit të bronkitit. Më vonë mjekët e diagnostikuan atë edhe me infeksion kompleks të rrugëve të frymëmarrjes dhe penemoni në të dyja mushkëritë. 

Çfarë është pneumonia e dyfishtë?

Pneumonia e dyfishtë është një infeksion respirator që prek të dy mushkëritë, duke inflamuar alveolat dhe duke e vështirësuar frymëmarrjen. Mund të shkaktohet nga bakteret, më i zakonshmi është Streptococcus pneumoniae, si dhe nga viruset ose, në një masë më të vogël, kërpudhat. Simptomat më karakteristike përfshijnë kollën me gëlbazë, ethe, të dridhura dhe vështirësi në frymëmarrje.

Grupe të caktuara të popullsisë janë në rrezik më të lartë të zhvillimit të pneumonisë dypalëshe, si të rriturit mbi 65 vjeç , fëmijët nën dy vjeç, duhanpirësit dhe ata me sëmundje kronike si diabeti, astma ose sëmundjet e zemrës. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet se trajtimi i pneumonisë dypalëshe ndryshon në varësi të origjinës së saj. Në rastet bakteriale, administrohen antibiotikë, ndërsa rastet virale zakonisht trajtohen me masa të tjera.

Infeksionet fungale, edhe pse më pak të shpeshta kërkojnë agjentë të veçantë antifungale. 

Papa Françesku është përballur me sëmundje dhe operacione të ndryshme, si dhe me probleme të lëvizshmërisë që nga viti 2021, duke bërë që shqetësimi i katolikëve të rritet çdo vit. Në mars 2023, ai u shtrua në spital për bronkit dhe në dhjetor ai anuloi udhëtimin e tij në COP28 për arsye mjekësore./ZËRI

Poll

MOS HUMB